Ferizaj

Infektologu Hetemi: Moti i ftohtë favorizon koronavirusin

By FerizajPress

March 25, 2020

Reshjet e borës që kanë filluar këto ditë e shtojnë edhe më shumë rrezikun nga pandemia Covid-19. Kështu thotë infektolgu në Spitalin e Ferizajt, Kadrush Hetemi.

Hetemi tha se ulja e temperaturave e favorizon edhe më shumë koronavirusin, prandaj qytetarët duhet të rrisin vigjilencën gjatë këtyre javëve.

“Koha më e mirë është më nxehtë me qenë, kur janë temperaturat mbi 20 gradë, po ashtu temperaturat kur të jenë më të larta edhe gjatë natës. Ne në vend i kemi 63 raste të konfirmuara dhe gjerësa të kemi vetëm edhe një burim të vetëm ne jemi të rrezikuar, nuk shërohet sëmundja derisa kemi burime, prandaj me qëndru në shtëpi është më e mira. Virusi nuk ka këmbë për me ardhë, ne lëvizim dhe e rrezikojmë vetvetën, prandaj masa më e mirë këto 4 javë të rrimë sa më shumë në shtëpi dhe të ketë dalje sa më pak, të paktën vetëm një familjar të dalë për blerje, pasi këto 4 javë është piku i rrezikut, moti i ftohtë e favorizon më shumë këtë virus”, tha Hetemi, transmeton Televizioni Tema.

Hetemi thotë se edhe gripi sezonal mund të jetë shkaktar i vdekjes, porse dallimi në mes tij dhe koronavirusit qëndron tek përhapja më e madhe dhe më e shpejtë.

“Edhe virusi i zakonshëm apo gripi sezonal A, edhe ai shkakton vdekje, por ky virus është karakterizuar me një infeksiozitet apo ngjitshmëri shumë të madhe dhe është një grip i ri që nuk ka terapi, por është një vdekshmëri 3% vende vende, siç është në Itali pasi nuk janë marrë masa varësisht prej nivelit të mjekësisë apo kur janë marrë masa më të rrepta disiplinore aty sukseset janë më të mëdha”,tha Hetemi.

Edhe infektologu Hetemi, përsëriti rekomandimet që duhet të ndjekin qytetarët siç është pastrimi i shpeshtë i duarve me sapun apo me alkool, mbajtja e distancës mbi 1 metër, bartja e maskave dhe më e rëndësishmja qëndrimi në shtëpi.