Lajme

Imami shqiptar në Zvicër: Bartja e burkas është një absurditet, s’është obligim

By FerizajPress

September 28, 2016

Votimi më i ri i Parlamentit të Zvicrës me shumicë kundër bartjes së burkas (mbulesë e plotë e grave myslimane)  në ambientet publike, ka ngjallur komentime nga më të ndryshmet. Shumica e njerëzve, edhe ndër myslimanët, nuk kanë gjë kundër kësaj ndalese. Një qëndrim të tillë e ka shprehur së fundi edhe kryetari i Bashkësisë Islame Shqiptare të Zvicrës, imami i njohur nga Berna, Mustafë Mehmeti.

Ai në një deklaratë të dhënë gazetës “Aargauer Zeitung” thotë se “mbulimi i plotë i gruas nuk është ndonjë detyrim në islam. Për këtë arsye ai nuk është i nevojshëm, transmeton albinfo.ch gazetën zvicerane. Rrjedhimisht, sipas imamit shqiptar ndalimi me ligj i kësaj mbulese nuk përbën ndonjë akt armiqësor ndaj islamit.

“Është absurde të bartësh burka. Bartja e saj nuk ka arsyetim teologjik dhe nuk bën pjesë ndër obligimet islamike”, thotë Mehmeti. Prandaj, shton ai, ndalesa më e re nuk është shenjë kundër myslimanëve por, ndoshta, kundër atyre ultrakonservativë. Ndërsa ai  ka thënë se problematike do të ishte një ndalesë e mbulesës së kokës, shamisë.

Qëndrim të ngjashëm kanë edhe myslimanet liberale. Kështu, kryetarja e Forumit për Islamin Pëparimtar, Saida Keller-Messahli, përshëndet këtë ndalesë, pasi që ajo është një shenjë kundër “akteve neveritëse të islamit politik”. Thjesht, te burka, nuk bëhet fjalë për më shumë se një copë të thjeshtë veshjeje, përcjell albinfo.ch. Aty bëhet fjalë për mizogjeninë e salafistëve”, citohet ajo nga gazeta. Mesahli thotë se ajo vetë e ka përfaqësuar një qëndrim të tillë edhe para se SVP ta bënte iniciativën.

.