Lajme

IKSHPK: Mbani distancën, virusi akoma gjendet në mesin tonë

By FerizajPress

May 09, 2020

Instituti Kombëtar i Shëndetësisë Publike të Kosovës ka publikuar një fotografi në faqen e saj zyrtare në “Facebook” në të cilën shihen të grumbulluar disa persona afër njëri-tjetrit.

IKSHPK-ja ka shkruar se kjo situatë është e patolerueshme, kështu duke kërkuar të mbajnë distancën dhe maskat sepse virusi ende gjendet në mesin tonë.

“Kjo situatë si në foto është e pa tolerueshme. Mbrëmë detektuam një rast pozitiv në Prishtinë. Ky rast nuk është për tu festuar, por për tu brengosur. Kështu ka filluar më 13 mars. Një rast i vetëm ishte në Stubëll, Klinë, Malishevë, Dumnicë, Wuhan dhe Codongo”, ka thënë IKSHPK.

Tutje, IKSHPK u bën thirrje qytetarëve që të respektojnë masat e qeverisë.

“Vazhdoni të mbani distancën fizike dhe mbajtjen e maskave. Virusi akoma gjendet në mesin tonë.Lehtësimi i lëvizjes nuk nënkupton mosrespektimin e rekomandimeve të Institutit Kombëtar dhe Ministrisë së Shëndetësisë. Lehtësimi i masave është bërë për të na bërë më të përgjegjshëm. Sakrificën tonë për të ruajtur shëndetin ta konsiderojmë si vlerë sublime duke vazhduar me mbajtjen e distancës fizike dhe mbajtjen e maskave në vendet publike. Ju lutemi për kujdes të shtuar deri në shuarjen e plotë të COVID-19”, ka thënë IKSHPK.