Ferizaj

IKSHPK apelon për kujdes: Virusi akoma gjendet në mesin tone

By FerizajPress

May 15, 2020

Instituti Kombëtar i Shëndetësisë Publike të Kosovës (IKSHPK) ka apeluar te qytetarët që të vazhdojnë të mbajnë distancën fizike, maskat dhe të mbajnë higjienën personale.

Kjo pasi, sipas këtij instituti, virusi gjendet akoma në mesin tonë dhe ende ekziston rreziku i përhapjes së tij.

“Vazhdoni të mbani distancën fizike dhe mbajtjen e maskave! Lani duart me kujdes disa herë në ditë nga 20-30 sekonda! Virusi akoma gjendet në mesin tonë….Ju lutemi për kujdes të shtuar deri në shuarjen e plotë të COVID-19! Ju lutemi të keni kujdes sepse akoma ekziston rrezik i përhapjes në vendet ku ka grumbullim të madh të njerëzve”, thuhet në komunikatën e IKSHPK-së.

IKSHPK-ja përsërit që letësimi i lëvizjes nuk nënkUpton mosrespektimin e rekomandimeve të këtij instituti dhe Ministrisë së Shëndetësisë. Andaj, ka kërkuar që institucionet dhe inspektorët të shtojnë angazhimin gjatë këtyre ditëve.

“Lehtësimi i masave është bërë për të na bërë më të përgjegjshëm. Nëse nuk do t’ përmbahemi rekomandimeve jemi të detyruar të vazhdojmë me këto masa!…Këto masa përkufizojnë edhe shumicën të cilët me përpikëri nga fillimi iu kanë përmbajtur rekomandimeve! Luten institucionet për mbajtjen e rendit dhe inspektoratet për angazhim të shtuar gjatë ditëve në vijim”, përfundon kumtesa.

Kujtojmë që mbrëmë janë konfirmuar edhe 18 raste të reja me COVID-19, duke e çuar kështu në 226 numrin e rasteve aktive në Kosovë.