Lajme

Ideja e Ismailit për “NEWBORN”-in këtë vit është të bëhet “mur” (Foto)

By FerizajPress

February 11, 2017

Idenë e tij, Ismaili ia ka përcjellë në mënyrë elektronike Ministrisë së Kulturës, Rinisë dhe Sporteve të Kosovës, konkretisht Komisionit për Vlerësimin dhe Shqyrtimin e Kërkesave dhe Projekteve Restauruese Konservuese të Trashëgimisë Kulturore të Kosovës.

Sipas idesë së Ismailit, monumenti “NEWBORN” duhet të ngjyroset me pamjen e një muri, me tulla apo beton, dhe për të kompletuar instalacionin “No Walls”, “Pa mure”.

“Meqenëse ndërtimi i mureve është çështje që nuk flitet vetëm në Kosovë, por në mbarë botën, ideja është që ‘NEWBORN’-i të përçojë një mesazh të fortë, që kundërshton muret, apo çfarëdolloj ndarjeje që ndodh sot mes njerëzimit. Ideja është që të ngjyroset si mur dhe për t’ia rrëzuar shkronjat N dhe W, për të bërë të mundur kompletimin e instalacionit ‘No Walls’”, thotë ai për Top Channel.

Realizimi duhet të fillojë të hënën ose të mërkurën, ndërsa të enjten do të ngjyroset si mur. Po të enjten mbrëma rrëzohen shkronjat N dhe W, në mënyrë që të premten më 17 shkurt të jetë gati”, thuhet në kërkesën e Fisnik Ismailit.

Totali i shpenzimeve për këtë ide, sipas ideatorit të monumentit “NEWBORN”, mund të kapë shumën maksimale prej 3.000 eurosh.

Dihet që thelbi thelbi i monumentit “NEWBORN”, që prej krijimit të tij 9 vite më parë, është që t’i ndryshohet pamja çdo vit, duke simbolizuar një dukuri që ka të bëjë me Kosovën, si shtet i ri, dhe marrëdhëniet e saj me botën, qoftë politike apo sociale, por asnjëherë për t’u përdorur si mjet për mesazhe apo propagandë të brendshme politike.

Monumenti “NEWBORN” është pjesë e listës së Trashëgimisë Kulturore për Mbrojtje të Përkohshme, vendim i nënshkruar nga ministri i Kulturës, Rinisë dhe Sportit Shala.