Ferizaj

I pakënaqur me biletën për shfaqje sulmoi personin zyrtar, gjashtë muaj burg për të dënuarin në Ferizaj

By FerizajPress

November 05, 2021

Gjykata Themelore në Ferizaj, ka shpall aktgjykim dënues ndaj të pandehurit H.M. i akuzuar sipas aktakuzës së Prokurorisë Themelore në Ferizaj, për shkak të veprës penale sulm ndaj personit zyrtar.

Kështu thuhet në komunikatën për medie, nga kjo Gjykatë ku bëhet e ditur po ashtu se të dënuarit i janë dhënë 180 ditë burg.

“Gjykata Themelore në Ferizaj, përkatësisht gjyqtari individual i Divizionit Penal, pas mbajtjes së shqyrtimit gjyqësor dhe administrimit të të gjitha provave, të pandehurin e shpalli fajtor dhe të njëjtin e gjykoi me dënim me burgim efektiv në kohëzgjatje prej njëqindetetëdhjetë (180) ditëve”, thuhet në komunikatë.

Sipas komunikatës, i pandehuri akuzohet më 22.10.2019, në Teatrin e Qytetit të Ferizajt, kishte shkuar t’i blej dy (2) bileta, për të shikuar shfaqje, biletë-shitësi ia kishte dhënë biletat për të qëndruar në këmbë, i pandehuri i pakënaqur me biletat, kishte filluar ta fyente bileta-shitësin, në atë moment kishte ndërhyrë personi zyrtar i dëmtuari F.H. të qetësoj situatën, i pandehuri me dashje që t’i shkaktoj lëndime trupore e ka sulmuar fizikisht të dëmtuarin duke e goditur me grusht në fytyrë, faqe dhe veshin e anës së majtë si pasojë e goditjeve i dëmtuari ka pësuar lëndim të lehtë trupor me pasoja të përkohshme për shëndetin.

“Kundër këtij aktgjykimi, palët kanë të drejtë ankese në afat prej pesëmbëdhjetë (15) ditëve nga dita e pranimit të aktgjykimit në formë të shkruar. Ankesa i drejtohet Gjykatës së Apelit në Prishtinë, përmes Gjykatës Themelore të Ferizajt”, thuhet në komunikatë.