I akuzuari për tentim grusht shteti në Turqi, ka një rrjet të shkollave në Kosovë

By FerizajPress

July 16, 2016

Lëvizja Gülen (Gylen) është një nga lëvizjet fetare më të rëndësishme në Turqi. E merr emrin nga themeluesi i saj, Fetullah Gulen, një hoxhe nga Anadolli, tashmë 75-vjeçar.

Ndjekësit e saj janë të përfaqësuar gjerësisht në elitën politike, administrative, dhe tregtare të shtetit turk. Në nivel ndërkombëtar, Lëvizja Gülen është e njohur për sistemin e saj arsimor.

Në Shqipëri dhe Kosovë, Lëvizja Gülen ka ndërtuar një rrjet shkollash nga cikli i ulët (Kolegjet Turke) deri në të lartin, te cilat operohen nga “Turgut Özal Education Company” dhe “Fondacioni Arsimor Gulistan”.

Kolegji i shkollës fillore dhe të mesme të ulët e të larë, “Mehmet Akif College”, është një rrjet arsimor i cili është vendosur edhe në Shqipëri dhe Kosovë. E që kjo shkollë është e ndërtuar dhe udhëhequr nga “Lëvizja e Gulenit”, është e konfirmuar nga vetë predikuesi islamik, i cili jeton në Pensilvania të Amerikës.

Në vitin 2010, në një shkrim të botuar nga Gulen në faqen e tij zyrtare të internetit Fgulen.com, tregon për vlerat e sistemit të tij shkollor dhe jep disa nga shembujt konkret të këtyre shkollave, duke përmendur në mesin e tyre shkollën “Mehmet Akif College” të Tiranës.

Shkollat e “Lëvizjes së Gulenit” në Kosovë udhëhiqen nga “Fondacioni Arsimor Gulistan”, e cila ka nën drejtim rreth 6 produkte të rrjetit dhe sistemit arsimor të Gulenit.

Prej tyre, katër kolegje të arsimit fillor dhe të mesëm me emrin “Mehmet Akif College – MAC”, një çerdhe – me emrin “Yllka” dhe shkollën fillore dhe të mesme të ulët e njohur si “Shkolla Ndërkombëtare e Prishtinës”.

Institucioni arsimor “Gulistan”, Kolegjin e parë me emrin “Mehmet Akif” e ka hapur më 7 shkurt 2000 në Prishtinë, raporton Insajderi.

Madje, hapja e këtyre shkollave dhe universiteteve ishte edhe një nga temat e diskutimit në mes të presidentit turk, Rexhep Tajip Erdogan dhe kryeministrit shqiptar Edi Rama në vizitën e fundit të Erdoganit në Shqipëri.

Në vizitën e vitit të kaluar në Tiranë, Erdogan i kërkoi Ramës që të mbyllte këto shkolla, pasi sipas tij, ato “paraqesin rrezik të madh për shqiptarët”. megjithatë, kjo kërkesë u hodh poshtë nga ministrja e Arsimit në Shqipëri, Lindita Nikolla.

.