Paraprakisht një lum i gjatë njerëzisht kanë bërë homazhe tek varrezat e dëshmorëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, ku prehen të qetë 62 dëshmorë në mesin e tyre edhe Hyre Emini-Mira e rënë në Tanushë të Gostivarit.
Pas këtyre
homazheve bulevardi i qytetit të Ferizajt, ishte mbushur me drejtues të institucioneve lokale dhe qendrore, shok e miq të Hyre Eminit, për të zbuluar shtatoren e saj e cila tashmë i është kthyer qytetit të Ferizajt në bronze.
Me këtë rast kryetari i Komunës së Ferizajt, Muharrem Svarqa, është shprehur se kjo shtatore që po e zbulojmë sot, është edhe një dëshmi e përkushtimit të ferizajasve, për të çmuar e valorizuar sakrificën e njerëzve të këtij nënqielli, për liri e pavarësi, për dinjitet dhe të drejta kombëtare e njerëzore.
“Në këtë mënyrë ne e forcojmë kujtesën kolektive e individuale, për flijimet, investimet dhe për tërë ata burra e gra, të rinj e të reja, që u sakrifikuan për ditët e sotme, që të jetojmë të lirë e të pavarur dhe ta ndërtojmë vendin tonë sipas idealeve më pozitive. Që nga sot, ferizajasit do ta kenë më të afërt në mendjen e tyre përfytyrimin për dëshmoren Hyrë Emini. Prania e dëshmores Hyrë Emini në kujtesën tonë kolektive dhe individuale, do të marrë dimension të ri. Kjo shtatore do të na trokasë më shpesh në ndërgjegjen tonë, për të reflektuar mbi përmasat e flijimeve e përpjekjeve që janë bërë, në mënyrë që populli shqiptar, në të gjitha trojet ku jeton, të mos nëpërkëmbet, të mos diskriminohet dhe të mos përbuzet. Shtatorja e Hyrë Eminit do t’i përshëndesë pushuesit dhe kalimtarët e këtij sheshi, duke ua kujtuar një kohë jo shumë të largët, kur jeta jonë ishte bërë e pavlerë, për shkak të shtypjes, tiranisë, torturës e vrasjeve, për fajin e vetëm se kishim lindur shqiptarë. Kjo shtatore do të na rikujtojë ne të gjithëve atë lumë flijimesh që janë bërë, në mënyrë që edhe shqiptarët, si shumica dërrmuese e popujve të botës, ta kenë në dorë e ta farkëtojnë fatin e vet”, ka thënë kryetari Svarqa.
Ai tutje
ka thënë se përmendoret e heronjve, dëshmorëve, martirëve e atdhetarëve, i kemi ndërtuar e po i ndërtojmë, për të nderuar e për të përjetësuar ndër shekuj vlerën tonë më të lartë: flijimin e pakursyer për liri, pavarësi, të drejta kombëtare e njerëzore; për t’ua kujtuar brezave të tashëm e të ardhshëm se pa liri, nuk vlen as pasuria, as dija, as ëndrrat, madje as jeta. “Ato do të trokasin vazhdimisht në ndërgjegjen tonë, për të na përmendur e për të na kujtuar se rrugëtimi ynë jetësor në liri e pavarësi, është shumë më i lehtë, se sa rrugëtimi jetësor i atyre që flijuan gjithçka për këtë kohë. Prandaj, obligimet që na kanë lënë heronjtë, dëshmorët e martirët e lirisë, na nxjerrin përpara detyrimin që të punojmë me të gjitha mundësitë, për ta ndërtuar të sotmen e të ardhmen më të begatshme, për ta vendosur shtetin tonë në themele sa më të shëndosha, për ta bërë jetesën e qytetareve tanë sa më të lehtë dhe për të ofruar sa më shumë mundësi krijuese për të gjithë”, ka përfunduar kryetari Svarqa.
Të pranishmëve me një fjalë rasti i është drejtuar gjeneral Imri Ilazi, i cili foli për jetën dhe veprën e dëshmores Hyre Emini.
Shukri Buja të pranishmit në këtë manifestim i ka përshëndetur, në emër të kryetarit të Kuvendit të Republikës së Kosovës, Kadri Veseli.
Në këtë manifestim i pranishëm ishte edhe ministri i Diasporës, Valon Murati, i cili me këtë rast ka thënë se luftës për çlirim, nuk i kanë kontribuar vetëm meshkujt, por edhe femrat e në rastin konkret dëshmorja Hyrë Emini-Mira.
Me një fjalë rasti të gjithë mysafirëve i është drejtuar veprimtari i çështjes kombëtarë nga Maqedonia Fazli Veliu, dhe kryetari i shoqatës së familjeve të dëshmorëve të UÇK-së Gafurr Bytyqi. Ndërkaq Bajrush Xhemajli, ka shkëputura momentet me të veçanta gjatë punës së tij me dëshmoren Hyrë Emini.
Ndërsa në emër të familjes të gjithë të pranishmit i ka përshëndetur, Flaka Emini, mbesa e dëshmores Hyre Emini.
Shtatoren
e dëshmores Hyrë Emini-Mira e punoi skulptori ferizajas Agon Qosa. Ndryshe, Hyrë Emini-Mira në altarin e lirës ra për të mos vdekur kurrë me 29 korrik të vitit 2001 në Tanushë të Gostivarit së bashku me komandantin, Tahir Sinanin, Naser Ademi dhe Hisë Fazliu.