Ferizaj

Hyn në fuqi vendimi për liberalizimin e vizave, lëvizim lirshëm nga 1 janar 2024

By FerizajPress

May 15, 2023

Nga sot ka filluar zbatimi i Rregullores së BE-së 2023/850, saktësisht liberalizimi i vizave për Kosovën sot e tutje do të jetë ligj i aplikueshëm në gjithë zonën Shengen.

Drejtor i Institutit EPIK, Demush Shasha, ka shkruar se autoritetet kufitare të Bashkimit Evropian do të fillojnë nga sot përgatitjet e nevojshme për të siguruar lëvizjen e lirë të qytetarëve kosovarë në Zonën Schengen nga 1 janari i vitit 2024.

“Nga sot fillon zbatimi i Rregullores së BE-së 2023/850. Me fjalë të tjera nga sot liberalizimi i vizave për Kosovën është ligj i aplikueshëm në të gjithë zonën Shengen”, ka shkruar Shasha.

Parlamenti Evropian miratoi më 18 prill 2023 vendimin për liberalizimin e vizave për qytetarët e Kosovës – me çka edhe procedurat vendimmarrëse për këtë çështje përmbyllen.

Miratimi u bë pa votim, pasi nuk kishte asnjë kundërshtim.

“Nuk kam marrë asnjë propozim për të refuzuar qëndrimin e Këshillit [të ministrave të BE-së] dhe asnjë amendament. Prandaj, qëndrimi i Këshillit është miratuar dhe akti i propozuar është miratuar”, tha kryetarja e PE-së, Roberta Metsola.

Një ditë më vonë, më 19 prill, u nënshkrua akti ligjor për liberalizimin e vizave, ndërsa hapi i vetëm që duhet të bëhet pas kësaj, është botimi i vendimit në Gazetën Zyrtare të BE-së dhe hyrja në fuqi e tij.

Këshilli i ministrave të BE-së e ka miratuar me shumicë të thjeshtë liberalizimin e vizave për Kosovën, muajin e kaluar.

“Liberalizimi i vizave tashmë është realitet”, tha Qeveria e Kosovës në një komunikatë dërguar mediave.

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, e cilësoi këtë vendim si “fitore” jo vetëm për Kosovën, por edhe “për vetë demokracinë dhe unitetin në Evropë”.

“Ky vendim është meritë e popullit të Kosovës, vendosmërisë së pashembullt të treguar përgjatë viteve, pavarësisht vonesave dhe padrejtësive të ndryshme”, shkroi ajo në Facebook.

Tashmë është e qartë se zbatimi i vendimit nuk do të shtyhet më larg se 1 janari i vitit 2024.

Kjo çështje ka qenë e lidhur me sistemin ETIAS të udhëtimit në Evropë, përkatësisht me hyrjen e tij në fuqi.

Meqë afati për funksionalizimin e ETIAS-it është shtyrë për në vitin 2024, heqja e vizave për qytetarët e Kosovës pritet të bëhet më 1 janar të vitit të ardhshëm.

Liberalizimi i vizave do t’u mundësojë qytetarëve të Kosovës të udhëtojnë lirshëm në atë që njihet si zona Schengen, e që përbëhet prej 27 shtetesh evropiane.

Ky regjim mundëson udhëtime pa viza vetëm deri në 90 ditë – brenda gjashtë muajsh – në cilindo nga shtetet anëtare të zonës Schengen.

Udhëtimet pa viza duhet të shërbejnë për vizita turistike, çështje familjare ose të ngjashme, dhe në asnjë rast nuk nënkuptojnë leje pune ose përfitime të tjera.

Kosova, aktualisht, është vendi i vetëm në Ballkanin Perëndimor, qytetarët e të cilit nuk mund të lëvizin lirshëm në zonën Schengen.

Kjo, me gjithë faktin se Komisioni Evropian, qysh në vitin 2018, ka konfirmuar disa herë se Kosova i ka përmbushur të gjitha kushtet për liberalizimin e vizave, por kanë qenë disa vende anëtare që vazhdimisht kanë shprehur rezerva.