Ferizaj

Svarqa: Huqjet e organizatës “Demokracia studentore”

By FerizajPress

May 17, 2016

Lidhur me protestën e sotme të organizatës “Demokracia studentore”, kryetari i Ferizajt, Muharrem Svarqa, ka bërë këtë deklaratë për publikun:

– Konsideroj se organizata “Demokracia studentore”, e ka huqur krejtësisht fushën e interesimeve në veprimtarinë e saj për të drejta të studentëve. Në vend se të merret me ngritjen e cilësisë së punës e të mësimit, me kushtet që u ofron themeluesi i universitetit, ajo merret me çështjen e administrimit të pronave të Komunës. Kjo është huqja e parë.

– Veç kësaj, në paralajmërimin për grevën, udhëheqja e asaj që quhet “Demokraci studentore”, i ngatërron funksionet e kryetarit të Komunës dhe Kuvendit Komunal. Me një dozë pezmi, e akuzon kryetarin e Komunës për destinimin e ngastrës prej 30 arësh, si shtesë të varrezës që qytetit, derisa të funksionalizohet varreza e re. Siç e dimë të gjithë, është KK-ja që e ka marrë këtë vendim dhe jo kryetari i Komunës. Kjo është huqja e dytë. – Huqja e tretë është lakmia që shfaq kjo organizatë studentore që ngastra e përmendur të përdoret për ndërtimin e konviktit ose të mensës së studentëve. Siç e kemi theksuar disa herë, kjo ngastër ka dimensione të tilla, që nuk ofron kurrfarë mundësi për investime të natyrës për të cilat flasin studentët. Nga ana tjetër, nuk janë organizatat studentore ato që i destinojnë ngastrat për objekte të interesit publik.

– Huqja e katërt i takon së kaluarës. Organizata “Demokracia studentore” edhe më herët kishte paralajmëruar protesta, për shkak se Komuna e Ferizajt nuk po angazhohej për ndërtimin e mensës për studentë. Thua se Komuna është përgjegjëse për këtë gjë.

– Huqje të tjera janë përdorimi i fjalës “mizori”, e cila nuk ka kurrfarë kuptimi në kontekstin që thuhet, përdorimi i fjalisë “manipulim i shtresave shoqërore”, konstatimi se vendimi i KK-së “ka një botëkuptim politik”, se me këtë vendim po keqpërdoret buxheti komunal etj. Pra njoftimi për protestë është me plot gabime logjike dhe gramatikore.

– Unë nuk mendoj se studentët janë kaq të painformuar sa të mos e dinë se kush e ka destinuar parcelën tek varreza e qytetit, se administrimin e pronave e bën pronari i tyre dhe jo dikush tjetër, se dimensionet e ngastrës, për të cilën flitet nuk mundësojnë ndërtimin e asnjë objekti dhe se Komuna nuk është as përgjegjëse, as kompetente për ndërtimin e mensës ose të konvikteve për studentë. Këtë përgjegjësi dhe kompetencë e ka vetëm Ministria e Arsimit. Në rast kërkese të Ministrisë, së cilës do të duhej t’i drejtoheshin studentët, Komuna do të bënte përpjekjet e veta për të ofruar të gjitha mundësitë që ka në dispozicion.

– Duke i marrë parasysh këto fakte, besoj se studentët ose janë të manipuluar dhe po ia bëjnë argatin ndonjë partie politike, ose i ka marrë malli të rebelohen, qoftë edhe për objektiva të huqura. Unë u bëj thirrje studentëve, që të merren me çështje që kanë të bëjnë me ngritjen e cilësisë së studimeve dhe t’i lënë anash veprimet që mund t’i shkojnë për shtati forcave të caktuara politike. Kështu do të jetë më mirë për ta dhe për të gjithë ferizajasit.