Lajme

Hoyt Yee, optimist për të ardhmen e Ballkanit Perëndimor

By FerizajPress

June 05, 2017

Ai rikonfirmoi interesimin e Shteteve të Bashkuara për të ardhmen e këtij rajoni, ashtu siç ishte shprehur rishtazi gjatë një seance dëgjimore në Kongresin amerikan.

“Shtetet e Bashkuara mbeten të përkushtuara ndaj begatisë dhe stabilitetit të Ballkanit Perëndimor. Politikat tona mbeten të qëndrueshme, sepse janë të bazuara në interesat e SHBA-së, në interesa të SHBA-së për një rajon që i afrohet më shumë Evropës, drejt një integrimi me institucionet evropiane, një begatie më të mirë, një klime më të mirë investimesh për bizneset evropiane dhe amerikane dhe në përgjithësi një standard më të mirë jetese për popujt e Ballkanit Perëndimor”, deklaroi zoti Yee.

Si shembuj pozitivë, Yee përmendi zhvillimet e fundit në Malin e Zi, Shqipëri dhe në Maqedoni.

“Kemi parë qartësisht një lloj progresi në rajon. Pamë Malin e Zi t’i bashkohet NATO’s. Pamë përparimin drejt zgjedhjeve në Shqipëri, të cilat do të përfshijnë qeverinë dhe opozitën, gjë që ne e konsiderojmë një zhvillim shumë pozitiv. Shohim tashmë formimin e një qeverie në Maqedoni pas një periudhe të gjatë pasigurie; e shohim këtë si një hap pozitiv për t’i dhënë fund një krize politike”, tha Yee.

Megjithatë, Zv.Ndihmës Sekretari amerikan i Shtetit përmendi rastin e Bosnjë-Hercegovinës si shembull shqetësimi për rajonin dhe stanjacionit të atjeshëm politik dhe ekonomik edhe pas 20 vitesh asistence prej miliarda dollarësh dhe vëmendjeje të veçantë si nga BE’ja, ashtu edhe nga SHBA’ja.