Lajme

Hoxhajt i tërhiqet vërejtja në SHBA për demarkacionin: Këto janë hartat që i përdorim, tregoni nëse nuk i besoni Amerikës?

By FerizajPress

July 05, 2016

Ministri i Punëve të Jashtme i Kosovës, Enver Hoxhaj, javën që lamë pas ka qëndruar në një vizitë zyrtare në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, ku ka takuar zyrtarë shtetërorë të shumë vendeve që nuk e kanë njohur pavarësinë e Kosovës nga të cilët ka kërkuar ta marrin një hap të tillë.

Por, përveç tyre, Hoxhaj ka takuar edhe zyrtarë të Departamentit Amerikan të Shtetit, si ambasadoren Samantha Power, e edhe përfaqësuesin e misionit amerikan në OKB, ambasadorin David Pressman.

Në këto takime, siç merr vesh Koha.net, Hoxhaj ka biseduar me zyrtarët amerikanë për çështjen e demarkacionit me Malin e Zi, ku mësohet t’i jetë thënë kryediplomatit kosovar që këtë çështje Kuvendi ta përmbyllë sa më shpejtë që të jetë e mundur.

“Atij i është treguar qartë se hartat të cilat janë përdorur për të përcaktuar vijën kufitare mes dy vendeve janë ato që i shfrytëzon edhe DASH-i. Hoxhajt i është thënë decitivisht se ‘nëse nuk i besoni Amerikës, tregoni’ dhe se nuk kemi kohë për të humbur duke u marrë me gjeografi”, ka thënë burimi i Koha.net i afërt me takimet që Hoxhaj i ka zhvilluar në SHBA.

Gjithashtu, burimi ka thënë se më 10 korrik Kosovën pritet ta vizitojë ndihmëssekretarja e Shtetit Amerikan për Evropë dhe Euro-Azi, Victoria Nuland, e cila si temë kyçe do ta ketë demarkacionin, por edhe çështje tjera si korrupsioni dhe dialogu me Serbinë.

Kujtojmë se ditë më parë, zyrtarë të Lëvizjes Vetëvendosje vendosën tabelën në të cilën shkruante “Mirë se vini në Republikën e Kosovës” me flamurin kombëtar në prapavijë në pikën ku ky subjekt politik pretendon se është kufiri me Malin e Zi. Ky veprimi ka ngjallur reagime zyrtare nga pala malazeze, e cila i ka dërguar një notë proteste shtetit tonë.

Partitë politike opozitare kanë kundërshtuar vazhdimisht marrëveshjen për demarkacion me Malin e Zi me masa të ndryshme, nga protestat në rrugë, deri tek gazi lotsjellës në Kuvend.