Lajme

Hoxhaj: Nëse Demarkacioni nuk ratifikohet në janar, vizat nuk hiqen as në vitin 2017

By FerizajPress

December 30, 2016

Nëse një gjë e tillë nuk ndodh në fillim të vitit të ri,atëherë duhet të harrohet liberalizimi i  vizave gjatë vitit 2017.

Ky është paralajmërimi që ka dhënë ministri i Jashtëm i Kosovës, Enver Hoxhaj në një deklaratë për lajmi.net.

Hoxhaj këtë e ka arsyetuar për faktin se viti i ardhshëm, do të jetë vit zgjedhor në disa nga vendet udhëheqëse  të Bashkimit Evropian dhe problemet brenda BE-së.

“Meqë për Gjeorgjinë dhe Ukrainën do të vendosë Parlamenti Evropian në janar dhe shkurt të 2017 dhe këtu ende mendoj se kemi një mundësi. Prandaj, do të duhet të bëjmë edhe një përpjekje në janar për ta ratifikuar në Kuvendin e Kosovës”.

“Nëse kjo nuk ndodhë, atëherë duhet ta harrojmë liberalizmin e vizave në vitin 2017, meqë është vit zgjedhor në vendet udhëheqëse të BE-së si Francë, Gjermani, Holandë dhe ka një lodhje nga politika e lëvizjes së lirë dhe nga migrimi brenda vetë BE-së”, ka thënë ministri Hoxhaj.

Sipas tij, miratimi i marrëveshjes së Demarkacionit përveç se do të përmbushte kriterin e fundit për heqjen e vizave, kjo marrëveshje do ta bënte Kosovën me një kufi ndërkombëtar, meqë kur do të ratifikohej nga të dyja vendet, Kosova dhe Mali i Zi do ta depononin në Sekretariatin e OKB-së si një marrëveshje ndërkombëtare.

Kosova kishte marr rekomandim për heqjen e vizave më 4 maj nga Komisioni Europian. /Lajmi.net/

.