Lajme

Hoxhaj me shumë takime në Munih, në fokus agjenda evropiane dhe siguria

By FerizajPress

February 19, 2017

Ministri ka takuar Sekretarin Gjeneral të OSBE-së, Lamberto Zannier me të cilin kanë biseduar për sfidat evropiane dhe globale. Hoxhaj e ka informuar Zannier për të arriturat e Kosovës dhe agjendën evropiane të vendit tonë.

Kryediplomati kosovar ka takuar edhe këshilltarin për Siguri dhe Politikë të Jashtme të Kancelares gjermane Merkel, Christoph Heusgen, me të cilin kanë biseduar për sfidat e sigurisë në Ballkan dhe Evropë, agjendën evropiane të Kosovës dhe liberalizimin e vizave. Po ashtu, Hoxhaj ka takuar deputetin e Bundestagut gjerman, Roderich Kiesewetter.

Ministri Hoxhaj ka pasur një takim dypalësh edhe me Sekretarin e Përgjithshëm të Ligës Arabe, Ahmet Aboulgheit me të cilin kanë biseduar për mbështetjen në njohjen diplomatike të Kosovës dhe mbështetjen për Kosovën në rast të aplikimit për t’u anëtarësuar në organizata ndërkombëtare.

“Konferenca e Munihut është prej forumeve më të rëndësishme të politikës së jashtme dhe të sigurisë, ku gjatë ditës së sotme kam pasur mundësinë që të takohem qoftë me Komisionerë të Bashkimit Evropian ku kam biseduar për agjendën e zbatimit të reformave sa i takon MSA-së, dhe për procesin e liberalizimit të vizave. Po ashtu, kam pasur mundësi që të takohem me sekretarë të Ligës Arabe, të shteteve të Gjirit, dhe të BE-së dhe me vende të cilat nuk e kanë njohur Kosovën. Kam kërkuar mbështetje qoftë për anëtarësimin e Kosovës në organizata ndërkombëtare, qoftë njohje të reja të cilat do të duhej të vijnë”, ka thënë Hoxhaj.

Agjendën intensive të takimeve Hoxhaj e ka vazhduar me takimet me Gjeneralin Erhard Buhler, Senatorin Chris Murphy, Deputetin e Parlamentit Evropian Elmar Brok, Ministri për Evropë dhe Amerikë të Qeverisë Britanike Alan Duncan, dhe me homologët, ministrin e Jashtëm të Lituanisë Linas Linkevicius, Ministrin e Punëve të Jashtme të Letonisë Edgars Rinkevics, Ministrin e Jashtëm të Luksemburgut Jean Asselborn, si dhe kryetarin e Komisionit për Politikë të Jashtme në Parlamentin Evropian, David McAllister, dhe Sekretarin e Përgjithshëm të Këshillit të shteteve të Gjirit, Abdullatif Bin Rashid Al Zayani.