Ferizaj

Hoti: Qeveria ofron gara për të gjithë nxënësit

By FerizajPress

February 15, 2019

Koordinatori Nacional për Kulturë, Rini dhe Sport në Qeverinë e Kosovës, Rexhep Hoti, u takua sot me udhëheqësit e Institucioneve Edukativo-Arsimore të Komunës së Ferizajt të cilët i njoftoi me planin e veprimit për Programin Nacional për Rininë në kuadër të të cilit nga data 19 shkurt e këtij viti do të nisë gara.

Koordinatori Nacional për Kulturë, Rini dhe Sport në Qeverinë e Kosovës, Rexhep Hoti, tha se drejtorët kanë në duar menaxhimin e së ardhmes për Kosovën.

“Ju si drejtorë keni në duar menaxhimin jo vetëm të institucionit që udhëhiqni, por edhe menaxhimin e së ardhmes të vendit tonë. Me fillimin e garës nga java e ardhshme ju do të keni një mundësi të artë që ta fusni në mendjet e të rinjve një filozofi të domosdoshme, e ajo është gara. Konkurrenca në mesin e të rinjve do të jetë një shans i jashtëzakonshëm për t’i ofruar hapësirën e nevojshme për të treguar talentet e tyre. E kjo po ndodhë për herë të parë në nivel shtetëror dhe Qeveria përmes këtij programi po e bën nxënësin agjendë kryesore”, tha Koordinatori Hoti.

Në anën tjetër, Drejtori Komunal i Arsimit në Ferizaj, Afrim Llabjani ritheksoi mbështetjen për programin duke thënë se presin  rezultate shumë të mira nga gara.

Drejtorët e shkollave treguan se tashmë janë pajisur me dokumentacionin e e nevojshëm dhe se kanë filluar përgatitjet e para për garën. Ata theksuan se me dokumentacionin e hartuar nga zyra e Koordinatorit, presin që gara të zhvillohet pa probleme sepse aty sqarohen të gjitha detajet për të.

Hoti po ashtu mbajti takim edhe me drejtorët e shkollave të Komunës së Vitisë të  cilët i njoftoi për fillimin e garës nga java e ardhshme. Drejtoresha e Arsimit në këtë komunë, Fatbardha Emini, tha se kjo garë është e shumëpritur për të rinjtë e kësaj komune.

Programi Nacional për Rininë do të zbatohet në të gjitha shkollat e Kosovës për  340.000 nxënës në tri nivele: niveli Shkollor, Komunal dhe Republikan i garave në dituri, kreativitet kulturor dhe mendim kritik, si dhe në sport.