Nënkryetari i PDK-së, Rexhep Hoti, ka paraqitur qëndrimin e tij ndaj reagimeve të LDK-së ditëve të fundit lidhur me rolin e Presidentit Hashim Thaçi në kryesimin e dialogut me Serbinë. Hoti i ka analizuar dallimet e mendimeve brenda LDK-së, për të cilat ka thënë se janë pasojë e interesave elektorale, njofton Klan Kosova. “Vazhdoj të besoj në seriozitetin dhe stabilitetin e LDK-së si parti e formuar dhe e pjekur politikisht”. “Në qoftë se një nënkryetar i saj thotë se Presidenti Thaçi nuk ka autorizim për të biseduar me Serbinë (Agim Veliu), atëherë kjo është një e vërtetë e pastër. Nuk mundet askush t’i ndërrojë rregullat e lojës si t’u teket individëve. Në qoftë se një nënkryetar tjetër thotë se duhet të respektohet institucioni i shtetit (Lutfi Haziri), atëherë kjo është një e vërtetë që ka standard brenda saj. Në qoftë se një nënkryetar i saj (Kujtim Shala) kërkon konsensusin e partive në lidhje me marrëveshjet madhore, atëherë kjo është një normë e vetëkuptueshme e shoqërive që kanë shtet të respektuar në nivelin e shteteve të avancuara demokratike të botës”. “Mirëpo, vaji i një pjese të saj në lidhje me kundërshtimin e procesit të dialogimit të Kosovës me Serbinë dhe ndërlidhja e kësaj çështjeje me zgjedhje të parakohshme – me legjitimitet a krizë institucionale – është vaj elektoral. Pra, janë lot politikë”. “Dhe meqenëse në LDK ka shumë poetë e shkrimtarë të nderuar e të respektuar, do të kisha provuar ta them një togfjalësh poetik: e gjithë kjo është një ‘Vajtim politik elektoral ’ mbi dialogun dhe Presidentin Thaçi”. “Shumësia e mendimeve brenda kësaj partie është normale për periudhën që është duke kaluar ajo. Pjesa e re e aderimeve nga shoqëria civile ka mentalitet tipik neojugosllav. Sepse këtu fillojnë dhe mbarojnë kondicionet, kredencialet dhe diskrecioni i kësaj mendësie”. Hoti ka theksuar se Presidenti Thaçi mund ta udhëheq dialogun pasi tash është personalitet i paanshëm partiakisht, ndërsa kjo paanshmëri i ka kushtuar PDK-së me 80 mijë vota në zgjedhjet e kaluara. “Qëndrimi i PDK-së është i thjeshtë dhe i qartë në lidhje me Dialogun. PDK është për përcaktimin e kriterit të ekuivalencës institucionale të dialogut. Kaq. Në qoftë se do të bisedohet në nivel kryeministrash, atëherë do të shkohet në atë nivel, në qoftë se do të bisedohet në nivel presidentësh atëherë le të jetë ky përcaktim. Por, nuk guxojmë të shkojmë në dialog me mendësinë e fisit a të honxhobonxhove neojugosllavë”. “Presidenti Thaçi nuk është njeri pa gabime e pa të meta. Por, kjo nuk mund ta mbulojë faktin se në kontekstin e dialogut Presidenti Thaçi është palë e papërballueshme për Serbinë. Ai është mbi Dialogun dhe mbi Serbinë”. “Në qoftë se Kosova e ka këtë përparësi në terrenin e Dialogut, atëherë kush është i interesuar të mos e ketë këtë personalitet në dialog? Vetëm Serbia me mbesat dhe nipat e vetë në Kosovë. Sepse Presidenti Thaçi më nuk është në parti politike. Me shkuarjen e tij ne humbëm rreth 80 mijë vota. Pra, PDK e pagoi çmimin e vet. Presidenti Thaçi e dëshmoi autonominë dhe paanshmërinë e tij politike. Atëherë, pse të ketë mëdyshje në këtë drejtim?”.