Editorial

Hilmi Haradinaj ty vdekja nuk të tretë por të fal përjetësinë

By FerizajPress

June 18, 2018

Jahja Lluka Sot të përcjellëm në botën e amshimit, por vepra jote e madhe do jetojë sa të këtë frymë shqiptari. Nga pragu i shtëpisë sate u rritën trima e dolën heronj, të cilët ti si baba i frymëzove me urti e atdhedashuri, e atëherë kur kohërat e zeza na ranë mbi krye, vepra jote e madhe bani dritë. Bota e kuptoi që kjo tokë kishte heronj, ata i kishin lexuar në libra për Herkulin, Akilin por ne kishim vërtetë Luanin dhe Shkelzenin, ti si baba u mërzite por si shqiptar nuk u përule asnjëherë qëndrove stoik, duke i dhënë forcë dhe shpresë një kombi që historia e kishte vra dhe therë barbarisht. Por ishim me fat se në oda na u rritën bijtë dhe bijat, aty mësuan besën, aty mësuan kodet aty e kuptuan se çdo të thotë të frymosh shqip. Hilmi fati yt i madh ishte se linde dhe rrite trima, frymëzim për brezat e që do kalojnë kohët e do vijnë të tjerë pas por vepra juaj u la me gjak për ta shënjua përjetësinë që mposhtë kohët dhe vet vdekjen. Çdo shqiptarë u përkul sot para varrit tënd me respektin dhe nderin më të madh. Aty kishin ardhë vëllezër e motra nga të gjitha trojet ku flitet shqipja, aty u bashkuan shqiponjat nga gjithë kontinentet. Historia më e re e Kosovës dhe kombit shqiptarë u mbështjellë me Lavdinë e familjes Haradinaj. Vepra jote e madhe do shndrit mbi epoka. Vdekja ty nuk të tretë por të fali përjetësinë. Kombi ynë ka lind njerëz gjigantë burra e gra të pushkës e të penës, të urtisë dhe guximit. Tiparet e tua të një shqiptari të madh të karakterizuan, në heshtjen tënde ishte mesazhi që ne si shqiptarë t’i mbrojmë vlerat tona dhe mos ta nëpërkëmbim sakrificën tonë e cila u vulos me lot, plagë e gjak. Në përjetësi u ndrit emri yt ashtu siç e ndritët shqiptarinë, ju dhe bijtë e pragut tënd.