Kundërshtari i “galaktikëve” do të jetë skuadra e Milanit, një ndeshje madhështore, edhe pse fatkeqësisht prestigji i saj ka humbur disi në vitet e fundit, duke parë krizën e rezultateve dhe atë ekonomike ku kanë notuar kuqezinjtë. Gjithsesi, nëse interesi për të parë në aksion Realin e ri të Hulen Lopeteguit do të jetë i madh, akoma më i madh do të jetë interesi për të parë në aksion për herë të parë Milanin e Gonzalo Higuainit. “Pipita” do të rikthehet në Madrid si kundërshtar me një tjetër fanellë, pasi këtë e pati bërë edhe me bluzën e Juventusit. Sulmuesi argjentinas ka udhëtuar dje me pjesën tjetër të skuadrës, ndërkohë që nën urdhrat e trajnerit Xhenaro Gatuzo nuk do të jenë portieri Reina, mbrojtësi i majtë Striniç, mbrojtësi i djathtë Abate, qendërmbrojtësi Zapata, mesfushorët Bertolaçi e Montolivo si dhe sulmuesi Silva.