Lajme

Haradinaj: U bë bajat qëndrimi im në Francë

By FerizajPress

February 27, 2017

Albinfo.ch ka zhvilluar një bashkëbisedim që kërkon të sjellë tek lexuesit organizimin e përditshmërisë së jetës së tij në Francë, ku ai më 4 janar e kishte menduar vetëm për kalim tranzit, duke udhëtuar nga Prishtina në drejtim të aeroportit Basel-Mulhouse për një vizitë me familjen në Zvicër.

Ai është arrestuar në bazë të një urdhërarresti ndërkombëtar të lëshuar nga Serbia.

Po i bëni gati dy muaj që jeni ndaluar nga autoritetet franceze, si po e kaloni kohën?

Ramush Haradinaj: Tani unë jam i lirë këtu në Francë, nuk kam kufizime në liri, por ajo që është e vështirë, është se jam i detyruar të qëndroj këtu. Pra është një padrejtë në vete dhe, po, u bë bajat qëndrimi këtu.

A doni të thoni se jeni mërzitur për Kosovën?

Ramush Haradinaj: Nuk është mërzia ashtu si mund të mendohet. Ndoshta edhe është, por kur e mendoj që mbahem padrejtësisht me kërkesë të atyre që kanë bërë krime, është shumë e pakuptimtë. Shkurt, është inati.

Sa janë të shpeshta kontaktet me familjen, a qëndrojnë ata pranë jush?

Ramush Haradinaj: Unë flas me babën dhe nënën çdo ditë në telefon, flas edhe me Dautin, me fëmijët dhe Anitën e cila vjen kohë pas kohe. Ndërsa fëmijët i nuk i kam sjell këtu se janë në shkollë. Mirëpo këtu e kam pas gjatë gjithë kohës prej se jam ndaluar, përkrahjen e Gani Dreshajt, të cilin e kam edhe koleg, por kam pasur përkrahje të jashtëzakonshme edhe të bashkatdhetarëve tanë prej të gjitha trevave shqiptare dhe prej gjitha vendeve ku jetojnë. Ka qenë një kujdes, një ngrohtësi e jashtëzakonshme edhe e atyre që jetojnë këtu në Strasburg. Janë shumë të afërt, shumë të dashur.

Meqë jeni i ndaluar e po mbaheni pa vullnetin tuaj në Francë, kush kujdeset apo garanton sigurinë tuaj?

Ramush Haradinaj: Për siguri kujdesem edhe vetë (qeshet) por, kemi të them ashtu njëfarë kujdesi dhe siguria në Francë nuk është e keqe.

Keni deklaruar se interesimi i bashkatdhetarëve për t’ju takuar është jashtëzakonisht i madh, si i menaxhoni takimet? Derisa edhe tani sa po zhvillojmë intervistën grupe bashkatdhetarësh nuk kanë të ndalur

Ramush Haradinaj: Të them të drejtën është zor, se mundësitë nuk i kam, unë gjej një lokacion sa për t’i pritur njerëzit edhe po provoj që mos të bëj shumë takime për shkak se vetë rrethanat dhe mënyra, statusi im e tjera e vështirësojnë, por në disa raste po mundohem t’i respektoj njerëzit që po vijnë nga larg. Ndoshta jo çdo herë po mbërrij në mënyrën më të mirë ti pres, por edhe ata që po vijnë e kuptojnë, pra nuk e kanë shqetësim atë pjesë.

Sa grupe bashkatdhetarësh apo njerëzish takoni brenda ditës?

Ramush Haradinaj: Duhet të kem kujdes se nuk po mbërrij t`i pres të gjithë. Më vjen shumë keq, ka raste ku ndoshta s’kam mbërri ti pres, mirëpo interesimi është shumë i madh edhe është një përkrahje vërtet shqiptare. Diçka e mrekullueshme, nuk besoj që ka ndonjë popull ne botë që di të bëjnë kështu, siç po dinë të bëjnë shqiptarët.

Çfarë ju thonë ata, çka diskutoni?

Ramush Haradinaj: Të gjithë vijnë me ato qëndrimet e thjeshta, ti nuk je vetëm; jemi me ty edhe fare mos u mërzit se jemi bashkë. Ka prej atyre që më ofrojnë edhe pare që mos ta kem keq dhe çdo gjë tjetër. Pra janë njerëz që vijnë me mijëra kilometra dhe në çdo aspekt të gatshëm për të qenë këtu, si për siguri, për logjistikë e për çdo gjë tjetër.

Meqë thatë se ka njerëz që ju ofrojnë edhe pare, ku jeni i vendosur, në ndonjë hotel?

Ramush Haradinaj: Jo, unë banoj te konzulli i Kosovës, se ashtu e kam urdhrin nga gjykata. Por, gjatë ditës e kaloj kohën ashtu so mbërrijë, pak sport, pak rrugë, pak pritje me njerëz. Kurse anën logjistike, si avokatët e tjera shpenzime, i ka mbuluar Gani Dreshaj, por më kanë ndihmuar edhe bashkatdhetarë tanë që kanë ardhur prej Zvicrës, Gjermanisë, Austrisë e gjithkah tjetër.

Si po ia delni me ushqimin dhe nevojat e tjera duke qenë se jeni i vendosur në konzullin e Kosovës?

Ramush Haradinaj: Unë jam në banesë te konzulli, rezidencë quhet ajo. Nganjëherë hamë kështu në dorë e nganjëherë edhe ulemi dikund, varësisht si e ku jemi. Rrobat i pastrojmë vetë dhe me ndihmon konzulli se ai është në shtëpi të vetën.

A jeni mysafir i konzullit, apo jeni në shtëpinë e Kosovës aty?

Ramush Haradinaj: Unë jam si në shtëpinë time, me konzullin jemi cimera.

Po me aktivitete sportive, si po e gjeni vetën këtu. Keni hapësirë për të dalur?

Ramush Haradinaj: Po, bëj tri aktivitete sportive, si vrapim, ecje dhe forcë. Eci gjatë ditës. Vrapoj rregullisht, por nuk po i tregoj vendet për shumë shkaqe…

Cili kishte me qenë mesazhi juaj i fundit për numrin e madh të diasporës shqiptare që solidarizohet me ju?

Ramush Haradinaj: Unë kam bindjen se shqiptarët janë popull i mirë, dhe që janë i drejtë është vërtetuar. Mendoj se këtë ua kemi dëshmuar edhe të tjerëve, se vërtet jemi popull i mirë dhe i drejtë, pra se jemi në të drejtën tonë dhe e drejta jonë në Ballkan do të vijë e plotë. S’mund të jetë e pjesshme. Besoj që kjo lidhje, kjo energji, e tërë ky vullnet i njerëzve është dëshmi që e drejta jonë ka për të ardhur. /albinfo.ch