Lajme

“Haradinaj t’i kërkojë falje publike Blakajt, deklarata precedent i rrezikshëm”

By FerizajPress

August 22, 2018

Përmes një komunikate për media FDH thotë se, “pa marrë parasysh vendimin e Blakajt që të tërhiqet nga funksioni i tij për shkak të kërcënimeve të cilat i janë bërë pas hetimit të lëndëve të veteranëve të rrejshëm të luftës, ta vlerësosh një prokuror si “hajn pulash” dhe “pishpirik”, përbënë, që nga pavarësia e këndej, fyerjen më të rëndë të cilën e ka bërë një prej funksionarëve më të lartë shtetëror të Kosovës në llogari të pjesëtarit të sistemit prokurorial”.

Aq më shumë, duke vlerësuar se, “njerëzit të cilët nuk kanë qenë në Bllacë ose Stankovec gjatë luftës në Kosovë nuk kanë të drejtë të numërojnë veteranët në rajonin e Dukagjinit”, ai ka ushtruar ndikim të drejtpërdrejt politik mbi prokurorinë.

“Kjo përbënë një precedent të rrezikshëm, i cili, nëse nuk reagohet ndaj tij dhe nëse deklarata nuk tërhiqet, e hap derën për përzierje të mëtejme të drejtpërdrejtë dhe për trysni në sistemin prokurorial, i cili edhe sipas Kushtetutës dhe ligjit në mënyrë të plotë është i pavarur prej politikës”, thuhet në komunikatë.

FDH Kosovë vlerëson se kryeministri i Kosovës me deklaratën e tij në llogari të ish-prokurorit Blakaj i ka bërë një shërbim të keq përpjekjeve që në Kosovë të ndërtohet sistemi efikas dhe i pavarur i shtetit ligjor.

“Aty ku funksionarët politik i japin vetes të drejtë për të nënçmuar dhe fyer funksionarët e gjyqësorit të shtetit, nuk ka sundim të ligjit, por është në fuqi pushteti i politikanëve të pushtetshëm”, thotë FDH.

FDH Kosovë kërkon nga kryeministri Haradinaj që ta tërheq deklaratën e tij dhe që publikisht t’i kërkoj falje zotëri Blakajt, por edhe gjithë sistemit prokurorial. Në të kundërtën, kërkohet nga deputetët e Kuvendit të nisin propozimin për votim të mosbesimit.