Kryeministri i vendit, Ramush Haradinaj është duke qëndruar në Londër në zhvillimin e Samitit të Ballkanit Perëndimor ku para pak minutave ka zhvilluar edhe një takim me kancelaren gjermane, Angela Merkel. Ndër të tjerash Haradinaj ka thënë se Gjermania është shtyllë e fortë e krijimit dhe ndërtimit të shtetit të Kosovës. Haradinaj poashtu ka treguar se nga Merkel ka kërkuar mbështetje në procesin e liberalizimit të vizave, në procesin e dialogut dhe në rrugën drejt transformimit të FSK-së, shkruan Indeksonline.
Postimi i plotë: Gjermania është shtyllë e fortë e krijimit dhe ndërtimit të shtetit të Kosovës dhe ne e kemi partner strategjik në ekonomi dhe politikë. Këtë ia thashë edhe Kancelares Angela Merkel, në takimin bilateral që sot e zhvilluam me të. Nga zonja Merkel kërkova mbështetje në procesin e liberalizimit të vizave, në procesin e dialogut dhe në rrugën drejt transformimit të FSK-së. Kancelares Merkel pata rastin t’i tregojë për punën që kemi bërë në forcimin e sundimit të rendit dhe ligjit dhe luftimin e korrupsionit. E njoftova edhe për punën në ligjin e ri për investime strategjike dhe Parkun Inovativ Trajnues Kosovaro-Gjerman në Prizren, që është garant i partneritetit të fuqishëm ekonomik të Kosovës me shtetin gjerman.
RH