Lajme

Haradinaj: Mund të ndërrohen edhe 3 ministra të PDK-së

By FerizajPress

October 01, 2018

Kryeministri Ramush Haradinaj në një intervistë dhënë për Televizionin 7 e ka konfirmuar se sot gjatë ditës ka marrë letrën e dorëheqjes nga ministri Abelard Tahiri.

Haradinaj deklaroi se ende nuk e ka marrë vendimin për ta liruar ministrin e Drejtësisë nga detyra, pasi që paraprakisht ka biseduar me kryetarin e Partisë Demokratike të Kosovës, Kadri Veselin, me të cilin e kanë lënë ta takohen dhe të flasin për këtë çështje.

Shefi i Qeverisë madje ka bërë të ditur se ka marrë sinjale edhe për 3 lëvizje tjera në kabinetin qeveritar nga radhët e PDK-së.

Kryeministri ndër tjera tha se ka një disponim për këtë, por që ende s’ka asgjë zyrtare.

Tutje ai ka pasur fjalë të mira për punën e ministrit të Drejtësisë, Abelard Tahiri.

AAK-ja është në koalicion qeverisës me PDK-në, Nismën, AKR-në dhe partitë e komuniteteve.

Sot gjatë ditës ministër është emëruar edhe Endrit Shala. Ai ka zëvendësuar Bajram Hasanin në ministrinë e Tregtisë dhe Industrisë.