Lajme

Haradinaj: Me krijimin e Zonave Ekonomike në Kosovë i kemi dhënë mundësi zhvillimit ekonomik të vendit

By FerizajPress

July 19, 2018

Liberalizimi i vizave, që njerëzit dhe mallrat të qarkullojnë më lehtë, transporti i lirë,  përfundimi i autostradave, linjat hekurudhore, të cilat do të rehabilitohen  deri në vitin 2023, digjitalizimi, zonat ekonomike, që çdo qytet të ketë zonën e dedikuar për biznese; tatimet, politikat më të mira fiskale dhe, ligji, pa të cilin nuk ka stabilitet ekonomik, kanë qenë temat të cilat janë diskutuar gjatë vizitës së Kryeministrit në Odën Ekonomike të Kosovës.    Kryeministri Haradinaj, përgëzoi kryetarin për marrjen e postit për të udhëhequr me Odën Ekonomike të Kosovës dhe tha se sot të gjithë akterët që kanë përgjegjësi dhe kanë peshë në mundësinë e rritjes ekonomike, janë të vlefshëm, duke i ofruar partneritet bashkëpunimi këtij institucioni, në të mirë të zhvillimit ekonomik të vendit.  “Si Qeveri e vendit, e konsiderojmë Odën Ekonomike partner, jemi të hapur që të bashkëpunojmë dhe të marrim të gjitha propozimet e mundshme që të ndihmojmë biznesin, sipërmarrësit, prodhuesit dhe që Kosova të ecë përpara në rritjen ekonomike”, tha kryeministri Haradinaj. Kryeministri Haradinaj tha se Qeveria e Kosovës ka iniciativë, siç është rasti me krijimin e zonave ekonomike, me theks të veçantë në Zonën e veçantë Ekonomike Amerikane dhe Parkun Inovativ Trajnues Kosovaro – Gjerman.  “Nëse jo të gjitha këto zona kanë sukses, ne i kemi dhënë mundësi zhvillimit ekonomik të vendit”, tha kryeministri Haradinaj. Kryetari i Odës Ekonomike të Kosovës, Berat Rukiqi falënderoi kryeministrin Haradinaj për partneritetin ofruar Odës, që në mënyrë shumë të hapur dhe të drejtpërdrejt t’i trajtojnë problemet dhe sfidat, por edhe propozimet që mund të avancojnë në sektorin privat. Kryeministri Haradinaj, më pas zhvilloi një takim edhe me përfaqësues të bizneseve, nga të cilët u informua me vështirësitë që ballafaqohen ata. “Bizneset e Kosovës kanë qenë aleatët kryesor të vendit për zhvillim ekonomik dhe kjo duhet të vazhdojë. Qeveria do të angazhohet që t’u ofrojë kushte dhe lehtësira në të bërit biznes”, ka thënë kryeministri Haradinaj.