Lajme

Haradinaj: Koalicion, vetëm me një PDK ndryshe

By FerizajPress

April 06, 2016

Ramush Haradinaj nuk e hedh poshtë mundësinë e një koalicioni me PDK-në, por, siç thotë ai, me kusht që Kadri Veseli do t’i bindë se nuk është për vazhdim të kësaj logjike qeverisëse. Sipas tij, partia më e madhe në vend është përgjegjëse për kapjen e shtetit, për shkallën e lartë të korrupsionit, rritjen e kriminalitetit të brendshëm dhe rritjen e ekstremizmit fetar.

Ramush Haradinaj thotë se ende është e mundur partneriteti me partitë opozitare, por, siç thotë ai, nuk është i gatshëm t’ia dorëzojë vizionin e AAK-së një subjekti tjetër politik, duke aluduar në Lëvizjen “Vetëvendosje”.

Sipas tij, Aleanca është parti e qendrës së djathtë dhe duke u bazuar në këtë e ka zhvilluar një vizion të veten se si e sheh Kosovën në planin e brendshëm dhe të jashtëm. “Këto janë vizionet tona, të cilat nuk hezitojmë t’i ofrojmë për partneritet, por të njëjtat nuk pranojmë t’i dorëzojmë te një partner politik. Pra, ky është dallimi ynë”, shprehet Haradinaj gjatë një interviste për gazetën “Zëri”.