Shqipëria dhe Kosova mbyllen dje një takim për lehtësimin e tregtisë, por duket se në vend të lehtësimit një luftë e re tregtare dhe më e ashpër është shfaqur në sfond.
Angazhimi sipërfaqësor i qeverisë shqiptare për të lehtësuar tregtinë nuk ka funksionuar teksa Kosovës i ka humbur durimi. Nëse Shqipëria nuk heq barrierat penguese për miellin, birrën dhe pataten në dy muajt në vijim qeveria e Kosovës do të aplikojë reciprocitetin në marrëdhëniet tregtarë me Shqipërinë, duke lajmëruar një taksë 100 për qind për prodhimet shqiptare, pohoi Nikolin Jaka, Kryetar i Dhomës së Tregtisë së Tiranës.
Jaka tha se qeveria e Kosovës ka marrë angazhim që të heqë të gjitha pengesat për eksportet shqiptare në Kosovë, por qeveria shqiptare nuk po i plotëson angazhimet e veta në lidhje me disa kërkesa emergjente të konsideruara nga bizneset e Kosovës. Në një sondazh të zhvilluar me bizneset e Kosovës në lidhje me klimën e tregtisë me rajon, Shqipëria është renditur e dyta pas Serbisë për barrierat e larta tregtarë që aplikon më Kosovën. Madje autoritetet atje kanë deklaruar se Shqipëria u rendit gati njësoj se Serbia për barrierat tregtare ndaj mallrave nga Kosova.
Të lodhur nga premtimet boshe, teksa në realitet barrierat tregtare vetëm sa shtohen, qeveria e Kosovës i ka lënë afate Shqipërisë. Nëse për dy muaj nuk lehtësohet tregtia dhe nuk hiqen taksat mbrojtëse për birrën, pataten dhe miellin nga Kosova do të rriten tarifat për të gjitha produktet shqiptare.
Marrëdhëniet tregtare ndërmjet Shqipërisë Kosovës kanë evoluar ngadalë, por përfituese ka qenë më së shumti Shqipëria.
Eksportet drejt Kosovës kanë shënuar një rritje të fortë në pjesën e parë të këtij viti, sidomos gjatë muajit prill, të nxitura nga dy grupe, ai i mineraleve e lëndëve djegëse (kryesisht naftës) dhe materiale ndërtimi e metale, të cilat së bashku zunë 74% të eksporteve drejt këtij shteti për janar-prill 2019.
Sipas të dhënave të INSTAT, në periudhën janar-prill janë shitur në vendin fqinjë mallra me vlerë 8.9 miliardë lekë, me një rritje prej 52% në raport me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar. Kosova renditet në këtë mënyrë në destinacionin e dytë të eksporteve, pas Italisë, me 9% të totalit, nga 5.8% që ishte kjo peshë në katërmujorin e parë të vitit të kaluar.
Rritja më e madhe ishte në muajin prill, kur eksportet kërcyen me 70%. Efektin kryesor në këtë rritje e ka pasur grupi “Minerale, lëndë djegëse dhe energji”, që janë katërfishuar për 4 mujorin, duke arritur në 2.3 miliardë lekë. Ky grup ka zënë 26% të totalit të eksporteve. Rritja e tij lidhet me rifillimin e aktivitetit të rafinerisë ARMO, e cila një pjesë të naftës së përpunuar e çon në Kosovë. ARMO ka rritur prodhimin në vend në muajt e parë të këtij viti, teksa ka marrë më shumë naftë të papërpunuar nga Bankers Petroleum dhe ky i fundit ka ulur eksportet drejt shteteve të tjera.
Grupi më i madh eksportues është “materiale ndërtimi dhe metale”, kryesisht metalet. Eksportuesi më i madh është Kurum, që e ka Kosovën një nga destinacionet kryesore të eksporteve të veta.
Për 4 mujorin, eksportet e materiale ndërtimi dhe metale ishin 4.1 miliardë lekë, me rritje 18% me bazë vjetore. Ky grup zë peshën më të madhe, me 46% të totalit të eksporteve drejt Kosovës.
Shqipëria nuk duket të ketë përfituar shumë nga vendosja e taksës 100% që Kosova i vuri mallrave serbe, pasi rritja e këtyre dy grupeve është ndikuar më shumë nga faktorë të brendshëm, si psh rifillimi i punës së ARMO.
Gjithsesi dhe produktet e tjera kanë shënuar rritje, ndonëse nisur nga një bazë e vogël. Eksportet e ushqimeve e pijeve, ndonëse janë rritur me 38%, duke përbërë rreth 10% të totalit. Produktet kimike dhe plastike u rritën me 60% për katër mujorin, duke zënë 6.2% të totalit./Monitor