Lajme

HARADINAJ: DO TË MERREN PARASYSH DISA KËRKESA TË MËSIMDHËNËSVE

By FerizajPress

January 08, 2019

Kryeministri i vendit, Ramush Haradinaj ka takuar sot përfaqësuesit e Sindikatës së Bashkuar të Arsimit, ndërsa tha se janë zotuar që para votimit në Kuvend të Ligjit për pagat të angazhohen bashkërisht që të merren parasysh disa nga kërkesat e sindikatës dhe mësimdhënësve.

Haradinaj në një postim në rrjetin social Facebook shkruan se është bërë edhe punë e madhe me Ligjin e Pagave, duke i zyrtarizuar pagat e mësimdhënësve që deri tani, bazoheshin në vendime dhe në shtesa të rrezikshmërisë.

“Rritja e buxhetit në arsim është një nga hapat e shumtë që kemi ndërmarrë si Qeveri për ta përmirësuar gjendjen në këtë sektor. Krahas kësaj është bërë edhe punë e madhe me Ligjin e Pagave, duke i zyrtarizuar pagat e mësimdhënësve që deri tani, bazoheshin në vendime dhe në shtesa të rrezikshmërisë. Përfaqësuesit e Sindikatës së Bashkuar të Arsimit i njoftova për nevojën që ky ligj të kalojë sa më parë në Kuvendin e Kosovës dhe pas kësaj të hapet rrugë për të bërë përmirësimet e nevojshme në të ardhmen. Po sot, u zotuam se do të angazhohemi bashkërisht që përpara votimit në Kuvend, të merren parasysh disa nga kërkesat e sindikatës dhe mësimdhënësve”, shkruan Haradinaj në Facebook.

Ndryshe, ditë më parë kryetari i SBASHK-ut, Rrahman Jasharaj ka thënë se nëse nuk korrigjohet koeficienti i pagës për sistemin e arsimit do të merren masa radikale duke filluar nga 14 janari.

“Është vendim i SBASHK-ut se nëse nuk plotësohen kërkesat nga 14 janari nuk do të fillohet gjysmë viti shkollor me mësim por me grevë të përgjithshme, e cila do të jetë në kohë të pacaktuar derisa institucionet nuk i plotësojnë kërkesat legjitimi të punëtorëve të arsimit”.