Ferizaj

Hapet konkursi për festivalin ‘’Kosovarja këndon’’

By FerizajPress

October 22, 2020

Festivali më i vjetër i qytetit të Ferizajt “Kosovarja këndon” i cili daton që nga viti 1972 do të mbahet edhe këtë vit.

Për pranimin e femrave mbi moshën 16 vjeçare që e kanë pasion këndimin tashmë është hapur aplikimi. Udhëheqësi i Sektorit të Kulturës në këtë qytet Sabri Pajaziti, tha se rrethanat pandemike i kanë shtyrë të bëjnë disa lehtësira për aplikueset.

“Ditëve paraprake kemi hapur audicionin në bashkëpunim me bordin e ansamblit “Kastriotët” ku kanë filluar përgatitjet, është caktuar lokacioni ku do të mbahet audicioni në shkollën e muzikës dhe javën e  ardhshme do të përfundoj edhe afati i audicionit. Mundësia e aplikimit është ndarë në dy faza deri më 31 tetor dhe 7 nëntor. Sivjet është bërë lehtësim edhe në fushën e aplikimit, jemi marrë vesh që një pjesë e kandidatëve t’i përcjellin interpretimet e tyre përmes rrjeteve sociale. Deri më tash jemi të vendosur që koncerti të mbahet live por pa publik, ose me një publik ku mund të ruhet distanca”, theksoi Pajaziti.

Pajaziti thotë se situata pandemike ka krijuar disa ndryshime në organizim, por jo edhe në kritere.

“Festivali “Kosovarja këndon” është festival tradicional dhe ne po përpiqemi që ndoshta një ditë të futet edhe në mbrojtje të trashëgimisë shpirtërore të Kosovë pasi në rrethana kur është themeluar ky festival ka pasur një mision shumë fisnik në emancipimin e femrës shqiptare në fushën e muzikës dhe ruajtjen dhe kultivimin e muzikës popullore shqipe. Po të pyetesha unë si artist, festivali ”Kosovarja këndon” nuk do ta kisha ndryshuar kurrë në formën e prezantimit, ndërsa në fushën e organizimit po“, tha Pajaziti.

Festivali “Kosovarja këndon” tradicionalisht mbahet në vigjilje të Festës së Flamurit më 28 nëntor.