Ferizaj

Hapet Festivali i teatrove në Ferizaj, i 49-ti me radhë

By FerizajPress

October 22, 2019

Sfidat e dashurisë në mes zhurmës dhe grackave

– Për komedinë “Shumë zhurmë për asgjë”, e krijuar si një komedi e karaktereve të ndërthura në mes intrigave të kohës dhe pasioneve të fshehura , regjisores Hoxha i është dashtë të gjejë shtratin e lojës skenike, që të bartë sa frymën shekspiriane të satires, po aq edhe të aktualizimit të këtij teksti që në nëntekst është një romancë e pashprehur

Afrim DEMIRIFerizaj, 21 tetor – Asnjë thënie tjetër, pas asaj thënies hamletiane “ të jesh apo të mos jesh, është çështja”, nuk e bën me popullor Shekspirin, se thënia “Shumë zhurmë për asgjë”, e cila për dallim nga e para është edhe titull i një komedie të tij.Pikërisht kjo komedi e sjellur nga trupa e teatrit gjakovar “ Hadi Shehu”, në regji të Zana Hoxhës, e pati fati ta hapë Festivalin e Teatrove në Ferizaj, që sivjet po mbahet për të 49-në herë me radhë.Në kohën e ndërrimit të brezave të aktorëve të trupës teatrore të Gjakovës, kjo shfaqje vjen si një gur i provës, i cili do të duhej të shënonte vazhdimësinë e pjekurisë skenike. Po ashtu edhe për punën e regjisores Hoxha, vënia në skenë për herë të parë, të një drame të Shekspirit në këtë teatër, duket të ketë qenë më shumë se një sprovë artistike.

Për komedinë “Shumë zhurmë për asgjë”, e krijuar si një komedi e karaktereve të ndërthurura në mes intrigave të kohës dhe pasioneve të fshehura, regjisores Hoxha i është dashtë të gjejë shtratin e lojës skenike, që të bartë sa frymën shekspiriane të satirës, po aq edhe të aktualizimit të këtij teksti që në nëntekst është një romancë e pashprehur. Në këtë përpjekje të vënies së një baraspeshe, regjisorja Hoxha ka gjetur si shpëtim dy aspekte; atë të pasurimit të lojës skenike me elemente koreografike, në njerën anë, si dhe të muzikës së shfaqjes bazuar kryesisht në melosin arbëreshë dhe në këngë të tjera shqiptare, në anën tjetër. Interferimi i muzikës sonë gjithsesi që ka sjellë një kontekstualizim të tekstit, por ka rrezikuar që t’i zhvendosë karakteret e personazheve në një rrafsh etno-psikologjik tjetër dhe ata të përjetohen si të tëhuajsuar brenda hapësirës dramatike .Edhe pse dashuria sipas kutit shekspirian zhvillohej në një atmosferë princërish si dhe kontësh, frustrimi për shprehjen e dashurisë apo për shantazhimin e saj nuk mbetej larg mentalitetit tonë provincional. Kjo sa e bënte shfaqje të afërt me publikun, po aq i lëkundte vlerat e saja estetike sepse lehtë aty- këtu rrëshqiste në elemente parodie.Dy paralele tjera e mbanin gjallë dellin dramatik të shfaqjes. Dashuria e hapur e Klaudit me Heron, si dhe dashuria diskrete në mes Beatriqes dhe Benediktit. Dinamika e shfaqjes shpejtohej nga loja kolektive, kur e tërë shfaqja mbizotërohej nga elementet e një vallëzimi, i cili sillte të papriturat që përputheshin me situatat komike. Kjo mund të merrej si vlera e shtuar shfaqjes. Ndërsa në momentet kur duhej të thurrej intriga në prapaskenë apo tek zhvillimi i dialogjeve sy me sy të personazheve, vërehej nje ngërç i aktorëve , qoftë në mos artikulimin e mirë të fjalëve apo në humbjen e ritmit të brendshëm të aktrimit, gjë që linte shumë për të dëshiruar.Se udha e dashurisë është sfidë në mes zhurmës dhe grackave, është dëshmuar qartë si para gjatë dhe pas epokës shekspiriane. Por, tensioni dramatik i krijuar në këtë tekst, mbi këtë rrafsh të thyerjes së shigjetave të dashurisë, i takon Shekspirit, i cili nuk i kurseu personazhet e tij që të jenë të zhuritur në dashuri dhe njëkohësisht të duken heronj të gjunjëzuar apo edhe palaço para saj.

Mbase regjisorja Hoxha nuk është dashtë ta zhvesh aq dukshëm intrigën e tradhtisë në prapaskenë, kur kurdisej mos besnikëria e Heros ndaj Klaudit, sepse pastaj i tërë skenari e demaskimit të këtij akti bëhej tepër i tejdukshëm për publikun. Përsëritej në disa tablo zbërthimi i intrigës. Kjo gjë humbiste besueshmërinë e aktrimit dhe kjo e dëmtoi shfaqjen, sikur dukej se ajo mbaroi para se të përfundonte.Në anën tjetër tendenca e ruajtjes së një fryme aristokrate, krijonte fragmentarizëm në rrjedhën skenike të shfaqjes, pasi që batutat apo ndërrimi i situatave komike shpesh nuk ruanin këtë frymë. Mveshja e personazheve me një naivitet, po ashtu zhvendoste shfaqjen në një rrafsh infantil, karshi nevojës për të ruajtur frustrimin si fenomen të klasë aristokrate. Shpërthimi i ndjenjave të fshehura , qoftë nga femrat apo djemtë mirëpritej nga publiku si një ndjenjë e çiltër, por kjo gjë nuk balancohej me një lojë të ftohtë skenike nga aktorët, shpesh vëreheshin shkarje në grimasa të paqëndrueshme të cilat përfundonin si karikime. Sidoqoftë regjisorja e Hoxha e mbështetur nga koreografi Robert Nuha, nga kompozitori Memli Kelmendi e kanë afruar trupin e aktorëve buzë një spektakli, e cila nga publiku ferizajas u prit më shumë si një komedi e lehtë me baticat dhe zbaticat e saja. Skenografia e Petrit Bakallit ka qëndruar shumë në sfond, derisa në pjesën e dytë të shfaqjes ka filluar të funksionalizohej edhe si element aktiv i saj.Aktorët si Valmir Krasniqi, Vlera Pylla, Ylber Mehmeti, Besfort N. Berberi, Mikel Markaj, Vlora Dervishi, Edmond Hafizademi, Valon Pallaska, Edi Gjakova, Yllka Lota, Altina Kusari dhe Hysen Binaku, kanë dhënë kreacionet e tyre premtuese. Kurse kostumografia Alma S. Krasniqi ka bërë një përzgjedhje solide duke ruajtur dizajnin e veshjes aristokrateNdërkaq mjeshtëri i vokalit, Adhurim Grezda, mbase është dashtë të kujdeset jo vetëm gjatë këndimit, por të kishte krijuar një harmoni tonike më melodike në mes të aktorëve, së bashku me regjisoren, për të shmangur klithmat dhe ndonjë çjerrje të rastit.Shfaqja, ashtu siç filloi u mbyll nën ritmin e njëjtë të vallëzimit, gjë që krijoi harkun e emocional tek publiku.Në natën e dytë do të ipet shfaqja e teatrit nga Tetova, “Një letër e humbur”, me tekst të Jon Luka Karaxhale dhe me regji të Kushtrim Bekteshit