Sot ka filluar të zbatohet faza e dytë e lehtësimit të masave për rikthim në normalitet pas gjendjes së krijuar nga pandemia COVID-19.Në këtë fazë është përfshirë edhe hapja e kafeterive dhe e restoranteve në formën “Merre me vete”.
Pas dy muaj mbyllje të plotë, sot nisi punën edhe restorant “Ballkani”. Rikthimit në punë iu gëzuan punëtorët e këtij biznesi.Arben Vishi, i cili është i punësuar në këtë restorant, thotë se mezi ka pritur që të rinisë punën.
“Për fat të mirë nga sot veç filluam pas dy muajve. Ta them të drejtën u gëzuam shumë pasi ne kemi nevojë me punu, por edhe klientët na kanë thirrë vazhdimisht, por falë Zotit po duket se jemi në fund të pandemisë dhe do t’i përmbahemi çdo rekomandimi deri në hapjen totale që do të bëhet”, tha Vishi, transmeton Televizioni Tema.
Sa i përket shërbimit “Merre me Vete”, Vishi thotë se do të jetë sfidues, por edhe një eksperiencë e re.
“Është pak i vështirë ky shërbim krahasuar me atë që kemi punuar gjatë ditëve normale, por pasi filluam sot është mirë që së paku bizneset që janë afër me pas mundësi me ardhë me marr me vete ushqimin. Po na vjen pak interesant, por kjo pandemi ka pasur edhe anën e saj pozitive, kemi kaluar më shumë kohë me familje dhe ishte një eksperiencë në vete”, tha Vishi.
Për t’iu përmbajtur rekomandimeve të Ministrisë së Shëndetësisë, në hyrje të restorantit janë vendosur dezinfektues për klientët. Përveç kësaj, Vishi tha se ambientet e restorantit po dezinfektohen pas çdo hyrje dhe dalje të klientëve.
“Jemi pajisur me dezinfektues, kemi dezinfektues për tavolina dhe karrige dhe dezinfektues që është adekuat për duar, kemi maskat, dorëzat, por kujdesi më i shtuar është në kuzhinë, edhe pse gjithmonë ka qenë kujdesi në kuzhinë”, tha Vishi.
Përveç kafeneve dhe restoranteve, nga sot janë rihapuar edhe floktarët dhe sallonet e bukurisë, stomatologët dhe fizioterapeutët, tregtarët me pakicë dhe tregjet e gjelbra, transporti hekurudhor, transporti urban dhe ndërurban me leje të veçanta, qendrat e thirrjeve telefonike me lista të stafit esencial, si dhe galeritë dhe muzetë.
Të gjitha këto biznese pa qytetarë nuk mund të funksionojnë, e këta të fundit nga sot mund të dalin dy herë në ditë nga 2 orë, sipas shifrës së parafundit në numrin e kartës së identitetit, transmeton Televizioni Tema.