Përfaqësues të Lëvizjes Vetëvendosje dhe të Lidhjes Demokratike të Kosovës në Ferizaj, parti këto që po tentojnë të arrijnë marrëveshje për formimin e qeverisë së re, thonë se nënshkrimi i marrëveshjes për bashkëqeverisje vetëm sa nuk ka ndodhur.
“Ne jemi të bindur se do të arrihet marrëveshja e koalicionit dhe i kemi konsideruar normale këto bisedime pasi është vendosur një standard i ri në aspektin e marrëveshjeve politike, pasi për herë të parë në Kosovë ka ndodhur një harmonizim i programeve qeverisëse që në të kaluarën s’ka qenë një praktikë e tillë pasi është biseduar vetëm për ndarjen e pozitave në qeveri. Unë besoj se shumë shpejtë do të kemi një marrëveshje dhe do të organizohet ceremonia e nënshkrimit të koalicionit. Qytetarët janë duke pritur, por unë kam shpresë dhe besim që shumë shpejtë do të arrihet”, tha Enver Haliti nga LVV.
“Realisht marrëveshja është para nënshkrimit, janë paraprakisht edhe disa konsultime intensive të nevojshme për krijmin e një partneriteti të qëndrueshëm me synim të një qeverie stabile dhe në bazë të rezultatit zgjedhor me përmasa të balancimit në kuadër të një partneriteti më afatgjatë se një mandat dhe për ndërrimin e modelit qeverisës në mënyrë që Kosova të jetë ajo që do t’i hap dyert institucioneve ndërkombëtare. Unë jam i sigurt se nuk do të ketë asnjë pengesë drejt realizimit të kësaj marrëveshje aq shumë të pritshme nga qytetarët”, tha Muharrem Svarqa nga LDK.
Teksa Haliti thotë se posti i presidentit nuk do të jetë pjesë e marrëveshjes, Svarqa thekson se LDK-ja do ta marrë këtë post.
“Është njëra ndër pikat që ka pasur mospajtime deri tani, por ne kemi besim të plotë që edhe kjo çështje do të kalohet, ndoshta nuk do të jetë pjesë e kësaj marrëveshje politike, por do të ketë një dakordim mes partnerëve se si do të procedohet me zgjedhjen e presidentit në vitin 2022 kur edhe skadon mandati i presidentit aktual“, tha Haliti.
“Nuk ka lëshuar pe, përkundrazi LDK-ja është ajo e cila do ta ketë presidentin në mandatin e ardhshëm pas skadimit të presidentit aktual. Të gjitha vendimet që merren përmes Kuvendit do të jenë temë e realizimit të kësaj marrëveshje duke përfshirë këtu edhe pozitën e presidentit”, tha Svarqa.
Seanca konstituive e Legjislaturës së Shtatë të Kuvendit të Kosovës është caktuar për 24 dhjetor, transmeton televizioni Tema.