Editorial

Hajt se s’është asgjë hashashi!

By FerizajPress

November 16, 2018

Shkruan: Shkelzen Marevci Se do të vijë kjo ditë në shoqërinë tonë askush s’e ka menduar. Të shndërrohet rinia jonë nga një rini që për moralin e saj s’mbeti kush pa ia pasur lakmi në një rini që hashashi e mariuana të bëhet gjëja më normale, madje të ndihen të turpëruar ata që nuk konsumojnë hashashin e mariuanën, sinqerisht këtë nuk besoj se dikush e ka imagjinuar, madje është për të ardhur jashtëzakonisht keq.  Këtu nuk përfundon çudia. E keqja akoma më e madhe është pikërisht në faktin që, edhe brenda institucioneve kompetente për parandalimin e kësaj dukurie është duke mbretëruar kjo bindje: “hajt se s’është asgjë hashashi”. Në një shoqëri, brenda së cilës ekziston një bindje e tillë, rreziku për përdorimin e drogave të tjera dhe rritjen e numrit të përdoruesve të tyre, duhet të jetë goxha i lartë.  Gjërat kalojnë nga jonormalja në normale vetëm atëherë kur ato përsëriten dhe shihen gjithandej, pra përsëritja e shpeshtë dhe numri i lartë i gjërave i shndërron gjërat jonormale në normale. Fakti që sot ekziston një bindje e tillë në shoqërinë tonë, dëshmon se, kjo dukuri ka kaluar nivelet shqetësuese.