Një fenomen mjaft shqetësues për qytetarët e Kosovës janë bërë vjedhjet e shpeshta nëpër shtëpi, që po shkaktojnë ankth e pasiguri, sidomos kur shtëpitë mbesin pa përkujdesje. Kështu ka ndodhur edhe mbrëmë në shtëpinë e familjes Spahija në Ferizaj, ku hajnat kanë vjedhur stoli ari dhe para të gatshme.
Burimet brenda Prokurorisë kanë bërë me dije për Sinjalin se pronari e ka denoncuar rastin në Polici, ku ka raportuar se hajnat kanë vjedhur rreth 5 mijë euro, para të gatshme, si dhe stoli që kapin vlerën e rreth 10 mijë eurove.Mungesën e parave e ka vërejtur pronari i shtëpisë i cili menjëherë e ka denoncuar rastin në Polici.
Sipas deklaratës së tij, të dhënë para hetuesve policorë me rastin e raportimit të rastit, kuptohet se të dyshuarit kanë depërtuar brenda me forcë.
Hajnat kanë demoluar shtëpinë dhe më pas kanë kryer vjedhjen, gjë që dëshmohet përmes pamjeve nga kamerat e sigurisë, që janë deponuar si dëshmi në Polici.
Si rezultat i denoncimit të rastit, njësitë policore kanë dalë në vendin e ngjarjes ku kanë kryer ekzaminimet e nevojshme që ndihmojnë në zbardhjen e rrethanave dhe në identifikimin e personave të dyshuar.
Me urdhër të Prokurorit të Shtetit, rasti është iniciuar ‘Vjedhje e rëndë’, ndërsa veprimet tjera ligjore do merren posa të kapen të dyshuarit.