Lajme

Guardian: Pas agresionit serb, Kosova kërkon ndihmë nga BE dhe SHBA

By FerizajPress

January 20, 2017

Hoxhaj ka kërkuar nga BE-ja, që është lehtësuese e bisedimeve në mes të Kosovës e Serbisë, që të kërkojë nga Serbia të përkushtohet në përmirësimin e raporteve, shkruan Guardian.

“Republika e Kosovës  inkurajon, nxitë, Bashkimin Europian të kërkojë nga Serbia të qëndrojë e përkushtuar në raportet e fqinjësisë së mirë dhe bashkëpunimit regjional dhe jo të ndërhyjë në zhvillimet e brendshme të një vendi tjetër, ose të ndërmarrë aksione provokuese që çojnë në destabilizimin e regjionit”, ka shkruar Hoxhaj në një letër trefaqëshe.

Nuk bëhet e ditur se me çfarë parametrash janë zgjedhur shtetet që u janë dërguar letrat, pos që janë përmendur “BE-ja, SHBA-ja dhe vende të tjera”.

Hoxhaj ka shkruar edhe se incidenti me trenin ishte “ngjarja e fundit në vazhdën e akteve agresive e provokative që Serbia ka ndërmarrë kundër sovranitetit dhe integritetit territorial të Republikës së Kosovës”.

Hoxhaj po ashtu, në adresimin e tij ka përmendur arrestimin dhe mbajtjen e Haradinajt në burgun e Francës si pasojë e fletarrestit serb në Interpol dhe murin në Veri.

Ministri kosovar në letrën e tij ka shtuar se “Prishtina ka reaguar me maturi politike dhe në pajtim të plotë me ligjet ndërkombëtare kur i është përgjigjur kërcënimeve të shumta të Serbisë, me dialog paqësor dhe metoda diplomatike”.