“Përderisa Zaev po mundohet të mashtron qytetarët shqiptarë me oferta të cilat nuk do ta përmirësojnë jetën e tyre, VMRO-DPMNE po realizon punë konkrete, ju mundëson maqedonasve, shqiptarëve, turqve, serbeve, boshnjakëve dhe vllehve në rajonin e Pollogut të kenë tubacion kryesor për furnizim me gaz natyror. Siç kemi premtuar në fushatë, tani më filloi ndërtimi i gazëpërçuesit nga Shkupi deri në Tetovë dhe Gostivar, si faza e parë, kjo në vlerë prej 29 milion euro, i cili do të ndërtohet në dy vitet e ardhshme”, ka shkruar Gruevski në “Facebook”.
Sipas tij, realizimi i projekteve të tilla është mesazhe deri tek ata që dëshirojnë të prishin shtetit.
“Ne nuk do ta lejojmë këtë, as që të prishin bashkëjetesën në Maqedoni nëpërmjet ndarjeve, hapjen e çështjeve që nuk janë lëndë e bashkëjetesës por e konfliktit. VMRO-DPMNE do të vazhdoj të ndërtoj dhe krijoj, të realizoj premtime nga të cilat do të kenë dobi të gjithë qytetarët e Maqedonisë, edhe maqedonasit edhe shqiptarë dhe gjithë të tjerët”, shkruan Gruevski.
Ai ka thënë se VMRO-DPMNE kujdeset për të gjithë dhe kjo e bën të dallojnë nga LSDM.
Çfarë mbajnë mend shqiptarët nga Gruevski?
Edhe përskaj këtyre deklaratave të Gruevskit, rikujtojmë se ai dhe partia e tij janë ata të cilët i kanë iniciuar protestat e fundit të përkrahësve të VMRO-DPMNE-së kundër Platformës Shqiptare, gjegjësisht kërkesave të shqiptarëve për barazi në Maqedoni, të cilat Gruevski bashkë me presidentin Gjorge Ivanov dhe bashkëpartiakët e tyre i cilësojnë si “grusht-shtet”.
Në protestat, ku në krye të së njëjtave qëndrojnë persona të ekspozuar të VMRO-DPMNE-së, u bënë thirrje nacionaliste për “Maqedoni të pastër” dhe u kërkuan “dhoma gazi për shqiptarët e mallkuar”.
Gruevski është po ai, i cili në intervistën e tij për kanalin proqeveritar “Sitel” tha se nëse pranohet dygjuhësia në Maqedoni, “do të ketë problem në shtet”.
Ky fjalor nuk është i panjohur për opinionin, pasi që ai gjatë kohës së negociatave me BDI-në për formim të Qeverisë pati një sërë intervistash, në të cilat thoshte se “është i mirë por mediat dhe partitë politike shqiptare e pasqyrojnë atë si person i cili nuk është i mirë për shqiptarët”, por menjëherë pasi dështuan bisedimet, për Gruevskin dygjuhësia në Maqedoni u bë “kërkesë nacional-romantike”.
VMRO-DPMNE-ja e Gruevskit, gjithashtu do të mbahet mend edhe për fjalorin e saj parazgjedhor anti-shqiptar dhe anti-perëndimor, transmeton Portalb.mk.
Analizat e njohësve të çështjeve politike vlerësuan se Nikolla Gruevski nuk dallon nga politika e ish presidentit serb Sllobodan Millosheviç.
Analiza e Portalb për qeverisjen e VMRO-DPMNE-së gjithashtu nxorri 12 arsye pse duhet thënë Gruevskit JO! Për koalicion.
Partitë shqiptare, patën dënuar retorikën e Nikolla Gruevskit në raport me shqiptarët dhe faktorin ndërkombëtarë.