Sipas burimeve policore, ata kanë kaluar kufirin shqiptaro-grek rreth orës 16:30 të së dielës dhe janë ndaluar për një kontroll në brendësi të kufirit grek, në aksin që lidh Kakavijën me Janinën.
Gjate kontrollit, dy të ndaluarve, të cilët deklaruan se janë punonjës të Ministrisë së Jashtme shqiptare u janë gjetur libra dhe abetare në gjuhën shqipe, çka sipas agjentëve është vlerësuar se po transportonin materiale propagandistike kundër Greqisë.
Materialet që ata po transportonin janë sekuestruar dhe po hetohen nëse bëhet fjalë për materiale propagandistike apo për abetare për mësimin e gjuhës shqipe.
Burime lokale i thanë Top Channel se matetialet që po transportoheshin prej dy të ndaluarve nuk ishin të vulosura, pra nuk konsideroheshin pako diplomatike dhe nuk kishte asnjë dokument shoqërues për këto materiale prej Ministrisë së Jashtme shqiptare, çka sipas palës greke konsiderohet kundërvajtje.
Ndërkaq, zëdhënësi i Ministrisë së Jashtme, Glevin Dervishi konfirmoi për Top Channel lajmin e ndalimit të dy shoferëve, të cilët po transportonin libra për fëmijët e emigrantëve, duke shtuar se pala greke ka konstatuar se librat që ata transportonin, kishin përmbajtje ksenofobe për palën greke.
Dervishi konfirmon se menjëherë pas vënies në dijeni, Konsullata Shqiptare në Janinë ka ndërhyrë për lirimin e dy shoferëve, ndërsa është ende duke u punuar për të sqaruar të gjitha rrethanat e ndalimit, si dhe për të mësuar mbi fatin e librave.
.