Greqia gati t’i kthejë migrantët në Turqi

By FerizajPress

April 02, 2016

Legjislacioni është thelbësor për zbatimin e marrëveshjes ndërmjet Bashkimit Europianë dhe Turqisë që synon lehtësimin e lëvizjes masive të pakontrolluar të emigrantëve në drejtim të vendeve të BE-së.

Pas miratimit të këtij ligji pritet që ditën e hënë Turqia të presë migrantët e parë të kthyer nga Greqia. Megjithatë, ka paralajmërime se të dy shtetet nuk janë ende të përgatitura për të realizuar një lëvizje të tillë. Dy ditë para rikthimit të migrantëve të parë në Turqi, nuk ka pasur shenja të përgatitjeve. Një fushë pranë qytetit perëndimor të Dikilit thuhet se është duke u përgatitur për vendosjen e migrantëve, por deri tani ajo është e zbrazët.

Ndërkohë, gjendja në disa qendra pritjeje apo kampe në Greqi konsiderohet e tensionuar dhe kaotike. Duke mos dashur të rikthehen në Turqi, qindra refugjatë janë larguar, duke kaluar gardhet nga pika e regjistrimit dhe e identifikimit në ishullin grek të Hios, si dhe kanë kërkuar të shkojnë në Pire me anije.

Ditët e fundit ka pasur edhe përleshje midis migrantëve në Greqi, për arsye që ende mbeten të panjohura. Të paktën 10 persona janë plagosur në këto konfrontime, prej të cilëve dy janë qëlluar me thikë, ndërsa edhe “Mjekët pa Kufij” kanë njoftuar se, në zyrat e tyre janë bërë dëme të mëdha në aparatura dhe barna mjekësore.

Incidente të dhunshme, gjatë të cilave refugjatët kanë përdorur me njëri-tjetrin edhe thika, ka pasur edhe në Idomeni. Qeveria greke ka kërkuar durim për zbatimin e një plani, sipas të cilit – deri për Pashkët ortodokse – të evakuojë këtë kamp provizor, si dhe të normalizojë situatën në Portin e Pireut, ku janë më shumë se 5.350 persona.

The post Greqia gati t’i kthejë migrantët në Turqi appeared first on Lajminet.