Lajme

Greiçevci: Britania ishte gardiane e Kosovës në BE

By FerizajPress

June 30, 2016

Britania e Madhe ka qenë një nga aleatët kryesorë të Kosovës në Bashkimin Evropian (BE). Ajo vazhdimisht ka shtyrë të tjerët që Kosovës të mos i mohohet e ardhmja evropiane.

Megjithatë, përkundër daljes së Britanisë nga BE-ja, raportet bilaterale midis Kosovës dhe Britanisë do të vazhdojnë të jenë të forta dhe të gjithanshme.

Kështu ka thënë gjatë një interviste për gazetën “Zëri” ambasadori i Republikës së Kosovës në Londër, Lirim Greiçevci.

Ambasadori kosovar, po ashtu, ka bërë të ditur se liberalizimi i vizave për Kosovën nuk pritet të ndikohet nga ky proces, meqë Britania e Madhe edhe ashtu nuk ka qenë pjesë e vendimmarrjes për këtë çështje, sepse nuk është anëtare e zonës Schengen.

Ndërkohë, duke folur për referendumin, i cili vendosi largimin e Britanisë nga BE-ja, ambasadori ka thënë se rezultati ishte shumë zhgënjyes.

Sipas tij, rezultati i referendumit ka ndarë në dysh shoqërinë britanike dhe ka shkaktuar përçarje midis komuniteteve dhe regjioneve (Skocisë, Uellsit, Irlandës Veriore dhe Anglisë).