Ferizaj

‘Gratë në parlament’, një shfaqje kundër realpolitikës tragjikomike

By FerizajPress

March 28, 2021

Në ditën ndërkombëtare të teatrit, në teatrin e qytetit në Ferizaj, u shfaq premiera “Gratë në parlament” nga regjisorja Elmaze Nuraj me aktrim të roleve nga Mevlan Saraçi, Vjosa Abazi, Blin Sylejmani, Valdrin Osmani, Jajush Ramadani, Milot Salihu dhe Doruntina Xhemajli.

Kjo shfaqje që vjen pas realizimit fantastik të shfaqjes “Vizita e zonjës plakë”, dhuroi një kombinim e ndërthurje të zanafillës së luftës së grave për barazi dhe pjesëmarrje në jetën publike e përfaqësuese, rrezikut të përsëritjes së egocentrizmit dhe arrogancës mashkullore në diskursin publik dhe shpërdorimit të pushtetit; dhe të realpoltikës tragjikomike ku barazia e gruas është kuotë e që në rastin më të mirë do të kualifikohej si feminizëm institucional vetëm!

Regjisorja Nura me shumë sukses ka sjellur në skenë gërshetimin e një teme të vjetër sa vet njerëzimi dhe përplasjen konceptuale me prioritetet e mashkullit të veshur me pushtet që si duket gjithmonë i përdorin si justifikim për të mos adresuar çështjet thelbësore të(mos) barazisë dhe pranimit të barabartë të llojllojshmërisë njerëzore. Regjisorja Nura kësaj teme të vjetër të pazgjidhur edhe sot ja vendos edhe maskat e COVID19 për të ngritur alarmin përtej frazave të thata dhe pa përmbajtje që dëgjohen në konferenca një ditore dhe fjalime elektorale.

Një shfaqje me shume dinamikë në skenë, një gjuhë shumë e pasur dhe me ndërlidhje dhe sekuenca të shkurtra të një kombinimi me mjuzikëll e humor të hollë, që ndihmonte që publiku të relaksohej për të pranuar kritikën, e kuptuar sarkazmën me shumë thumb por në formë gjentile në të njëjtën kohë.Gëzuar për punën dhe suksese!