Ferizaj

Grainca: Komuna e Ferizajt ende nuk ka marrë zyrtarisht pezullimin e pëlqimit për PZHK nga MMPH, ky pezullim është afatshkurtër (Video)

By FerizajPress

September 19, 2017

Ferzaj.19.09.2017. Pas shtyerjes së seancës së djeshme të Kuvendit Komunal të Ferizajt ku ishte planifikuar që të votohej Plani Zhvillimor Komunal 2017-2025 , drejtori për Urbanizëm dhe Mjedis në Komunën e Ferizajt Faik Grainca ka mbajtur sot një konferencë për media për të qartësuar gjithë këtë situatë. Ai pohoi se komuna e Ferizajt edhe më tutje nuk e ka marrë zyrtarisht aktin e pezullimit por, theksoi se ka marrë informacionet e duhura dje në një takim që ka pasur në Ministrinë e Mjedisit dhe Planifikimt Hapësinor ku është njoftuar se pezullimi do të vlejë vetëm deri sa të shqyrtohet një ankesë që ka ardhur ndaj këtij plani. “Sot eshte dita e pestë dhe neve ende nuk na ka ardhur zyrtarisht ai dokument . Ai dokument do të duhejt të vinte tek ne edhe po të nisej nga Amerika dhe sot kur informacionet barten për pak sekonda ne nuk e kemi atë informacion. Unë dje në Minsitri isha dhe jam sqaruar me sekretarin permanent të Minsitrisë dhe mund të ju them se pëlqimi për planin Zhvillimor që ka dhënë MMPH me datën 4 gusht nuk është anuluar ashtu siç është keq intrpretuar qëllimshëm nga disa portale. Në bazë të ligjit të procedurës adminsitrative nëse njëra palë bën ndonjë ankesë organi është i detyruar që ta pezullojë për një kohë të shkurtër atë akt . Nëse lexohet qartë ky akt shkruan se ky pëlqim i lëshuar me datën 4 pasi që komuna i ka plotësuar të gjitha kushtet dhe kritertet e parapara me ligj, shkruan se na ka ardhur një ankesë të cilën ne patjtër duhet ta shqyrtojmë dhe ta qartësojmë situatën dhe të vendosim për heqjen e atij pezullimi” deklaroi drejtori Grainca gjatë kësaj konference. Ai më tutje tregoi se edhe në takimin e djeshëm në Ministrinë e Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor ka biseduar për ankesat që janë bërë ndaj atij plani, konkretisht nga një pjesë e banorëve të rrugës “Astrit Bytyqi” rreth kundërshtimeve që kanë ata ndaj ndërtimeve të larta. “Jam i bindur që ky pëlqim ende është në fuqi dhe nuk do të anulohet për dëshirë të askujt . Më vjen keq që mediumi TV Tema është shëndrruar në zëdhënës të një familjeje e cila nuk e dëshiron ndërtimin e lartë në rrugën “Astrit Bytyqi” me tendencë të vecantë që të krijohet përshtypja se aty janë bërë lëshime janë bërë falsifikime. Institucionet e Kosovës sa do që janë të brishta janë të pavarurara dhe vazhdimisht unë e kam përmendur se eshtë shumë mirë që bëhen hetime për t’u sqaruar gjerat. Dhe procesit do t’i shkojmë deri në fund për të parë se nuk kemi bërë asnjë shkelje ashtu siç po pretendohet” tha drejtori Grainca në takimin me gazetarë. Ai potencoi edhe në këtë takim se Plani Zhvillimor Komunal ka marrë një kohë të gjatë për t’u hartuar në mënyrën më moderne dhe mohoi të gjitha akuzat se ka probleme e ankesa për koeficientin e ndërtimit dhe çështje të tjera. Ripërsëriti se ata që lexojnë me kujdes këtë plan me më shumë se 300 faqe gjejnë informacione e orientime për të gjitha fushat e jetës për 8 vitet e ardhshme ,por përmendi se edhe ankesat që janë bërë kanë marrë përgjegjet e arsyeshme. Derisa Ministria e Mjedisit dhe Planifikimt Hapësinor të dalë me një qëndrim definitiv për këtë proces drejtori Grainca pohoi se institucionet komunale janë në pritje të hapave të tjerë. Deklaroi se shpreson që shumë shpejt të shqyrtohet ajo ankesë dhe të përfundojë votimi i këtj dokumenti të rëndësishëm në të mirë të qytetarëve ferizajas.