Një grabitje e rëndë është raportuar pasditen e së hënës në magjistralen Ferizaj–Kaçanik, ku një qytetar është sulmuar fizikisht brenda veturës së tij dhe është grabitur një shumë e madhe parash, transmeton Sinjali.
Ngjarja ka ndodhur dje, rreth orës 15:00. Viktima, B.S, ka deklaruar në Stacionin Policor në Ferizaj se gjatë kohës sa ishte duke qarkulluar me veturën e tij Audi, në të cilën ndodheshin edhe dy persona të tjerë, njëri prej tyre – i ulur në ulësen e pasme – ia ka vendosur një rrip në fyt, ndërsa personi tjetër e ka sulmuar fizikisht.
Nën presion dhe kërcënim, viktimës i janë grabitur 3.800 franga zvicerane dhe 800 euro para të gatshme. Sipas deklarimit të tij, pas grabitjes, personat e dyshuar e kanë urdhëruar të ndalojë veturën dhe më pas janë larguar në drejtim të panjohur.
Si pasojë e sulmit, viktima ka pasur nevojë për ndihmë mjekësore, e cila i është ofruar nga ekipi shëndetësor.
Lidhur me rastin janë njoftuar Hetimet Rajonale në Ferizaj, të cilat në koordinim me Prokurorin Kujdestar për Krime të Rënda kanë iniciuar rastin “Grabitje”. Hetuesit janë duke intervistuar viktimën dhe po punojnë intensivisht në identifikimin e personave të dyshuar.
Hetimet janë në vazhdim.