Lajme

Grabitja në Rinas, hetimet shtrihen edhe në Kosovë

By FerizajPress

July 10, 2016

Hetimet për zbardhjen e grabitjes së datës 30 qershor në Rinas janë intensive.

Sipas të dhënave nga policia, po hetohet për dy grupe kriminale, një në zonën e Burrelit dhe një grup tjetër me tendencë grabitjen me pjesëmarrjen e disa shtetasve kosovarë dhe disa personave nga Kukësi.

Pjesëtarë të grupit hetimor kanë mbajtur kontakte të vazhdueshme dhe me policinë kosovare me qëllim sqarimin e dyshimeve për grupin e personave që dyshohet të kenë hyrë ilegalisht nga kufiri në Morinë, shkruan Tv Klan.

Paralelisht katër persona, tre nga Burreli dhe një nga Laçi me precedentë të mëparshëm penal në vjedhjet me armë brenda vendit, por kryesisht në Itali, janë dhe duke u mbajtur nën vëzhgim për qëllime hetimore.

Zyrtarisht u deklarua se në mjetin e blinduar ku ndodheshin paratë e një banke të nivelit të dytë, mesditën e 30 qershorit nga tre persona të armatosur që lëviznin me një mjet tip “Benz”, ngjyrë vishnje, brenda aeroportit të Rinasit u grabitën rreth 1 milion euro.