Grabitja e tokave në Vlorë, dosja i kalon Krimeve të Rënda

By FerizajPress

July 03, 2016

Nga hetimet e deritanishme rezulton se, skema e falsifikimit të dokumenteve në këto raste është realizuar nga i njëjti grup personash dhe janë krijuar dyshimet e arsyeshme se kemi të bëjmë me një grup të strukturuar kriminal.

Për këtë arsye, Prokuroria e Vlorës ka shpallur moskompetencën, duke ia kaluar aktet Prokurorisë së Krimeve të Rënda, e cila është përgjegjëse për hetimin e veprave penale në kuadër të grupit të strukturuar kriminal.

Në përbërjen e këtij grupi janë përfshirë zyrtarë lokalë, të cilëve u janë ngarkuar detyra konkrete në lidhje me falsifikimin apo dhe regjistrimin e pasurive të paluajtshme, zyrtarë të punësuar pranë Gjykatës dhe Hipotekës së Vlorës, shkruan TCH.

Sipas prokurorisë rezulton se, ky grup kriminal është krijuar me qëllimin e vetëm për të përfituar pasuri të paluajtshme në zonën bregdetare të Qarkut të Vlorës, përmes falsifikimit të dokumenteve nëpër institucione të ndryshme shtetërore.

Tokat e sekuestruara gjenden në Palasë, Karaburun dhe Zvërnec, respektivisht me sipërfaqe 33 ha, 220 ha dhe 89 ha, ndërsa personat nën hetim janë: Pullumb Petritaj, Enkes Hysendhima, Blerina Dhrami, Rajmond Mezi, Donika Besimaj, Lefter Gjergji dhe Belona Seraj.

The post Grabitja e tokave në Vlorë, dosja i kalon Krimeve të Rënda appeared first on Lajminet.