Lajme

GP/AAK: Sulmi në kuvend e ka nxjerrë “lakuriq” shtetin

By FerizajPress

August 05, 2016

Sulmi ndaj Kuvendit të Kosovës është dënuar edhe nga Grupi Parlamentar të Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës (GP/AAK) duke shkruar se kjo ngjarje e ka nxjerrë “lakuriq” edhe njëherë shtetin, i cili është i paaftë për të reaguar me kohë.

“Kjo ngjarje e ka nxjerrë “lakuriq” edhe njëherë shtetin, i cili është i paaftë për të reaguar me kohë… Kur e tërë bota demokratike është në luftë, sa fizike po aq psikike, me të keqen që quhet terrorizëm, institucionet e shtetit tonë e kanë komoditetin të sillen sikur nuk po ndodhë asgjë për rreth nesh.” theksohet në komunikatë.

Më tej shkruhet se ngjarja e mbrëmshme e sulmit ndaj ndërtesës së Kuvendit të Kosovës është akt i papranueshëm dhe Grupi Parlamentar i AAK-së, shpreh indinjatën dhe kërkonë që të reagohet me shpejtësinë e dritës në zbardhjen e rastit të mbrëmshëm.

“Aktet e tilla të shëmtuara nuk e ndihmojnë aspak Kosovën në rrugën e saj për zhvillim e forcim të qenies se saj.” reagon GP/AAK në komunikatë.

Duke bërë thirrje për arrestimin e autorëve Grupi Parlamentar shpreh se “Jemi në situatë kur e gjithë bota po përballet me të keqen dhe nuk duhet lejuar që ajo të depërtojë edhe në Kosovë.”

Në fund në komunikatë falenderohet edhe Zoti që nga ky sulm nuk ka patur viktima.