Ferizaj

Gjykimi për vrasjen shkaku i borxhit, ekspertja e balistikës thotë se arma që u përdor nga i akuzuari ishte gjysmëautomatike

By FerizajPress

February 27, 2022

Ferizaj- Hajrie Hoxha, eksperte e balistikës, në senacën e së premtes në rigjykimin Albert Ramadanit, i akuzuar për vrasjen shkaku i borxhit në shkurt të 2018-ës në Ferizaj, tha se arma që u përdor nga i akuzuari ka qenë gjysmëautomatike.

Në këtë çështje, për vrasjen e Besart Hasanit po akuzohet Albert Ramadani, kurse për pjesëmarrje në rrahjen, e cila i kishte paraprirë vrasjes po akuzohen Artan Ramadani, Fadil Ramadani, Argjend Ramadani dhe Driton Krasniqi. Ky i fundit po akuzohet edhe për veprën penale të mashtrimit, lidhur me shitblerjen e një veture të markës “BMW X5”, e cila sipas prokurorisë, kishte qenë edhe shkak i vrasjes, raporton “Betimi për Drejtësi”

Hajrie Hoxha eksperte e lartë e balistikës pranë Agjencisë së Kosovës për Forenzikë, tha se punon që nga viti 2006, ndërsa ka përgatitur përafërsisht 2 mijë ekspertiza të kësaj lëmie, për rastin në fjalë tha se arma e cila është përdorur nga tani i akuzuari Albert Ramadani, është armë gjysmëautomatike.

Kryetari i trupit gjykues, Mustaf Tahiri e ka pyetur eksperten Hoxha, si ka funksionuar kjo armë dhe në çfarë mënyre shkrepet, ekspertja tha se arma ka funksionuar dhe ka gjuajtur në mënyrë automatike.

“Kjo armë e tipit Crvena Zastava M57, funksionon në atë mënyrë që bëhet tërheqja e këmbëzës gjatë çdo gjuajtje, për çdo tërheqje një gjuajtje”, ka thënë ekspertja Hoxha.

E njëjta ka shtuar se karaktetistikë e kësaj arme është çekani i armës, i cili është liruar pa karikator, që do të thotë gjuajtja ka mund të bëhet edhe pa e pasur karikatorin, këtë karakteristikë sipas ekspertës së balistikës, nuk e kanë armët e tjera, e ka vetëm ky lloj i “Crvena Zastava”.

Sipas saj, arma në fjalë është kërkuar nga Agjencia e Kosovës për Forenzikë (AKF), që të jetë në koleksionin e armëve të AKF-së, kërkesë kjo e cila gjendet në shkresat e lëndës për këtë rast.

“Kjo armë është kërkuar nga AKF, sepse kjo armë ka qenë e rrallë, për shkak se ka pasur të vendosur pjesën shtesë të kompenzatorit, të cilën nuk e kanë të gjitha armët e këtij lloji, është rasti i parë që ne kemi, prandaj e kemi kërkuar”, ka thënë ekspertja Hoxha.

Avokati Admir Salihu ka pyetur eksperten Hoxha, kjo shtesë e kompenzatorit në armë a ka mundësi të devijojë drejtimin e gjuajtjes së armës, ekspertja tha se nuk devijon drejtimin apo depërtimin e shpejtësisë së gjuajtjes kjo armë.

Më tutje, u dëgjua dëshmitari Bekim Salihu, i cili deklaroi se ka dhënë deklaratë për këtë rast në shqyrtimet e kaluara dhe se nga rikonstruimi në vendin e ngjarjes është rifreskuar në mendimet rreth rastit konkret.

Avokati Admir Salihu e ka pyetur dëshmitarin, se në natën kritike ku kishte ndodhur përleshja në mes dy palëve, sa kishte zgjatur dhe se a i njeh Gafurr Statovcin dhe personin me emrin Ervin ,të cilin e ka përmendur nga deklarimet e mëparëshme.

Për këtë, dëshmitari tha ajo përleshje ka zgjatur 15 sekonda dhe se i njëjti ishte larguar menjëherë.

Ndërsa, personat Gafurr e Ervin, tha se i njeh, por që Ervinin e njeh vetëm si figurë, vetëm një herë e kishte parë dhe se e dinte se është shtetas i Shqipërisë, kurse për Gafurrin tha se në natën kritike e kishte parë brenda në lokal.

Pasi që, nga seanca e kaluar më 23 shkurt 2022 është konstatuar se dëshmitari Gafurr Statovci gjendet jashtë shtetit të Kosovës, gjyqtari i çështjes Mustaf Tahiri, njoftoi se i njëjti gjendet në Finlandë, andaj palët në procedurë u pajtuan që deklarata e dëshmitarit Statovci e dhënë në shqyrtimet e kaluara të konsiderohet e lexuar.

Kryetari i trupit gjykues, gjyqtari Mustaf Tahiri në këtë fazë të procedurës ka urdhëruar një ekzaminim psikiatrik përkitazi me gjendjen emocionale të të akuzuarit Albert Ramadani, në momentin e kryerjes së veprës penale.

Gjyqtari Tahiri njoftoi se gjykata do të urdhërojë Institutin e Forenzikës të formojë një komision të përbërë prej tre antarëve që të japin konstatimin-vlerësimin e tyre, po ashtu të mos jenë pjesëmarrës ekspertët, të cilët kanë qenë prezent në shqyrtime gjyqësore për të deklaruar në lidhje me këtë çështje penale.

Seanca e radhës për këtë rast u caktua më 30 mars 2022.

Ndryshe, gjykimi i të akuzuarve ka filluar pasi Gjykata e Apelit më 14 korrik 2021 e kishte kthyer në rigjykim rastin ku Albert Ramadani, ishte dënuar nga shkalla e parë, me 16 vjet burgim për vrasje të rëndë dhe armëmbajtje pa leje.

Sipas aktgjykimit të shpallur nga kryetari i trupit gjykues, Mustafë Tahiri, i akuzuari Albert Ramadani u dënua me 15 vjet burgim për vrasje të rëndë, kurse me 1 vit e gjashtë muaj burgim për armëmbajtje pa leje. Ndaj të njëjtit ishte shqiptuar dënimi unik në kohëzgjatje prej 16 vjet burgim.

Sipas aktgjykimit, të akuzuarit Fadil dhe Artan Ramadani janë dënuar me dy vite burgim, ndërsa Argjend Ramadani me 1 vit e tetë muaj burgim, për veprën penale “Pjesëmarrje në rrahje” nga neni 190, par.2 të KPRK-së.

Kurse, i akuzuari Driton Krasniqi për pikën I të aktakuzës u dënua tre vite e gjashtë muaj burgim dhe 2 mijë e 500 euro, ndërsa për pikën II të aktakuzës me një vit e gjashtë muaj burgim. Ndaj të njëjtit ishte shqiptuar dënimi unik në kohëzgjatje prej katër vite e gjashtë muaj burgim dhe 2 mijë e 500 euro gjobë.

Sipas këtij aktgjykimi, kontrata e shitblerjes së veturës ishte anuluar, ndërsa i akuzuari Artan Ramadani ishte obliguar t’i paguajë shumën prej 4 mijë euro Driton Krasniqit, ndërsa vetura BMW X5 do i kthehej Artan Ramadanit.

Sipas aktakuzës së ngritur më 24 tetor 2018 nga ana e Prokurorisë Themelore në Ferizaj, Albert Ramadani akuzohet se më 28 shkurt 2018, në rrugën magjistrale Ferizaj –Prishtinë, përballë kafenesë “Aniki” në Ferizaj, me dashje dhe në mënyrë mizore e ka privuar nga jeta tani të ndjerin Besart Hasani, pas një mosmarrëveshje lidhur me një borxh në shumën prej 60 mijë euro, lidhur me një veturë të markës “BMW X5”.

Në aktakuzë thuhet se atë veturë Artan Ramadani ia kishte shitur Driton Krasniqit, me ndërmjetësimin e tani të ndjerit Hasani, e të cilin borxh Dritoni sipas marrëveshjes është dashur ta paguajë deri më 28 shkurt 2018, mirëpo i akuzuari Artan Ramadani së bashku me axhën e tij dhe dajën Gafurr kishin shkuar në Prishtinë për t’ia kërkuar borxhin, ndërsa Dritoni iu kishte thënë se do të vinte në Ferizaj dhe se e paguan borxhin.

Gjithnjë sipas aktakuzës, Dritoni dhe tani i ndjeri Hasani kishin ardhur rreth orës 18:00, me ç’rast Dritoni u kishte thënë “ju ma keni shqetësuar familjen që keni ardhur tek shtëpia ime dhe këtë punë nuk e lan as hoxha e as prifti”, kështu që të pandehurit ishin revoltuar dhe kishte filluar fyerja reciproke mes tyre.

Tutje, sipas aktakuzës, i akuzuari Fadil e kishte nxjerrë jashtë tani të ndjerin Besart për ta qetësuar situatën, mirëpo Besarti e kishte goditur me kokë atë në pjesën e hundës dhe e kishte rrëzuar për tokë.

Pas kësaj, sipas prokurorisë kishin dalë edhe të pandehurit Albert, Artan dhe Argjend Ramadani dhe kishte filluar rrahja para lokalit, ndërsa i ndjeri Hasani kishte filluar të ikë në anën e kundërt të magjistrales, kurse të pandehurit kishin vrapuar pas tij.

Me këtë rast, thuhet se i akuzuari Albert kishte nxjerrë pistoletën dhe kishte shtënë dy herë në drejtim të të ndjerit, kurse i ndjeri ishte rrëzuar dhe në gjendje të shtrirë, të akuzuarit e kishin goditur me shqelma në të gjithë pjesët e trupit, ku si pasojë e gjakderdhjes kishte ndërruar jetë në vend të ngjarjes.

Me këtë, Albert Ramadani akuzohet se ka kryer veprën penale “Vrasje e rëndë” nga neni 179, par.1 nënpar.1.4 të KPRKS-së si dhe për veprën mbajtja në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armëve nga neni 374 par.1 të KPRK-së.

Kurse, Driton Krasniqi, Artan, Fadil dhe Argjend Ramadani, akuzohen se më 28 shkurt 2018 orës 18:25 minuta në rrugën magjistrale Ferizaj-Prishtinë, përballë kafenesë “Aniki” në Ferizaj, kanë marrë pjesë në rrahjen në të cilën ishte privuar nga jeta i ndjeri Besart Hasani.

Me këtë, secili veç e veç akuzohen se kanë kryer veprën penale pjesëmarrje në rrahje nga neni 190, par.2 të KPRK-së.

Driton Krasniqi, akuzohet edhe për veprën penale “Mashtrimi” nga neni 335, par.5 të KPRK-së, sepse sipas aktakuzës, më 13 janar 2018, në Ferizaj, me paraqitje të rreme të fakteve, me qëllim të përfitimit të kundërligjshëm të dobisë pasurore për vete, e kishte mashtruar pronarin e autosallonit “Aldioni”, Artan Ramadanin, në atë mënyrë që sipas aktakuzës, kishte lidhur kontratë për blerjen e automjetit “BMW X5 30 xDrive”, për çmimin 64 mijë euro, me ç’rast kishte paguar 4 mijë euro, kurse shumën tjetër ishte dashur ta paguajë më 28 shkurt 2018, mirëpo i pandehuri Krasniqi veturën e kishte shitur, kurse paratë nuk ia kishte paguar në afatin e caktuar. /BetimipërDrejtësi

Shënim: Personat e përmendur në këtë artikull konsiderohen të pafajshëm, përveç nëse nga gjykata vërtetohet se janë fajtorë me vendim të formës së prerë.