Gjykata, vendi ku i riu shqiptar do ta ‘takojë’ vajzën që e kishte fiksim për 6 vite

By FerizajPress

September 11, 2016

Policia e Tiranës ka vënë në pranga një 23-vjeçar nga Ballshi, i cili prej rreth 6 vitesh kishte përndjekur një vajzë nga Tirana, së cilës edhe pse nuk e kishte takuar asnjëherë, vazhdonte t’i sillte shqetësime.

I riu, me iniciale E.M., ishte fiksuar keq pas vajzës që kishte njohur në facebook, me të cilën fillimisht kishte komunikuar me mesazhe, por pas fyerjeve, ajo e kishte bllokuar që të mos komunikonte më me të.

Duket se ky veprim e ka acaruar të riun, i cili i kishte vënë vetes qëllim që të mos e linte të qetë 22-vjeçaren nga Tirana, N.Sh.

Për këtë arsye, ai hapte herë pas here profile false në facebook dhe i shkruante mesazhe, duke e fyer në mënyrë të vazhdueshme.

Sa herë që vajza i bllokonte adresën e radhës, ai sërish hapte një adresë tjetër duke vazhduar me të njëjtin avaz.

Këtë histori përndjekjeje, shkruajnë mediat shqiptare, të shoqëruar me fyerje dhe së fundmi edhe me kërcënime, 22-vjeçarja e ka përjetuar për 6 vite rresht, deri sa disa ditë më parë ka vendosur t’i drejtohet Policisë.

Ajo ka bërë kallëzim në Komisariatin nr.2, ku ka dhënë gjeneralitetet e sakta të autorit, nisur nga komunikimi me adresën e parë të tij në Facebook.

Gjithashtu ka dorëzuar edhe të gjitha mesazhet që ai i dërgonte prej gjashtë vitesh nga adresa false, me emra dhe fotografi të ndryshme, por që në fund të çdo mesazhi i shkruante emrin e tij.

Vajza është shprehur se kjo histori ka nisur që kur ajo ka qenë vetëm 16 vjeçe dhe duke qenë në moshë shumë të re, nuk ka ditur si të vepronte dhe për këtë arsye nuk i është drejtuar as Policisë.

Por, duke qenë se kohët e fundit djali kishte nisur ta kërcënonte me jetë, vajza është frikësuar dhe e ka denoncuar në Polici.