Ferizaj

Gjykata Themelore e Prishtinës e kthen PZHK-në e Ferizajt në pikën zero

By FerizajPress

November 04, 2019

Plani Zhvillimor Komunal i Ferizajt, i miratuar dy vite më parë, është kthyer  sërish në pikën zero, pasi Gjykata Themelore e Prishtinës ka  vendosur që të anuloj pëlqimin e Ministrisë së Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor të dhënë për draftin e PZHK-së në vitin 2017.

Këtë vendim të kësaj gjykate e posedon Imri Haliti, banor i rrugës “Astrit Bytyqi” në Ferizaj, i cili që nga fillimi e ka kundërshtuar këtë dokument.  

“Neve dje na ka arritur një vendim nga Gjykata Themelore e Prishtinës,  Departamenti për Çështje Administrative ku me një fjalë ka anuluar draftin  e Planit Zhvillimor Komunal të vitit 2017. Kjo i bie që dhënia e pëlqimit për miratim të PZHK-së 2017-2025 është në pikën zero. Ky pëlqim ka qenë i anuluar  më datën 15.09.2017,duke ditur se si është zhvilluar kjo procedurë me intervenime dhe pas 2 viteve prapë është kthyer në atë pikë ku dhënia e pëlqimit e PZHK-së për momentin është anuluar dhe është në pikën zero që do të thotë se të gjitha ndërtimet që kanë ndodhur në këtë periudhë i bie që thuajse janë të kundërligjshme. Për fat të keq këtu bëhet fjalë për një ankesë tonën, por tash ata e kanë marrë si të përgjithshme dhe bëhet fjalë komplet apo atakohet komplet PZHK-ja, jo vetëm prona jonë. Ne jemi ankuar direkt për pronën tonë, por ajo nuk ka mundësi që si PZHK parcial të ndahet dhe tani ka marrë krejt një kahe tjetër”, tha Haliti.

Procesi  i hartimit të Planit Zhvillimor Komunal, por edhe miratimi i këtij dokumenti, ishte kundërshtuar nga disa asamblistë të legjislaturës së kaluar. Njëri ndër ta ishte edhe Bashkim Fazliu.

“Çdokush në çdo kohë, në çdo etapë që e ka shkelur ligjin, që ka bërë veprime antiligjore mendoj që organet e drejtësisë duhet me kry punën e vet. Unë edhe në Kuvend e kam pas thënë që nuk jam kundër zhvillimit, jam pro urbanizmit, të zhvillohet qyteti e vendi jonë, por me shku me rregulla. Nëse ndërtohet një ndërtesë dhe e ka pëlqimin e komunitetit le të ndërtohet sipas kritereve, me rëndësi është që çdo ndërtim me i kontribu qytetit e jo me qenë avari. Tani me shku në lagjen e re, nuk e njeh  atë lagje, habitesh. Unë  e kuptoj që është edhe interes i qytetarëve apo pronarët e tokave kanë interes dhe shteti duhet me ua mundësu atë, por në kuadër të rregullave”, tha Fazliu.

 E zëshme në këtë aspekt ka qenë edhe organizata joqeveritare  Iniciativa për Progrës. Shpend Mustafa nga kjo organizatë, thotë se që në fillim kanë pasur dyshimet  e tyre se ky plan është për të mirën e komunës, prandaj, sipas tij, duhet të nisen hetime të reja dhe përgjegjësit e këtij procesi  të marrin dënimin e merituar.

 “Ky Plan Zhvillimor që atëherë kemi thënë që është bërë me shkelje ligjore dhe nuk përfaqëson interesat e qytetarëve pasi nuk është diskutuar me ta dhe nuk i ka shikuar  se çfarë kanë nevojë qytetarët. Vendimi  i  Gjykatës Themelore në Prishtinë veçse i ka vënë në fuqi pohimet e INPO-s, ka treguar se PZHK i miratuar në vitin 2017 është një dokument që nuk përmban aspekte ligjore dhe është një dokument që nuk bën planifikim urban, por bën kaos urban. Nëse Gjykata thotë që ka pas shkelje ligjore në procedimin e dokumentacionit ligjor, dikush e ka bërë këtë shkelje ligjore dhe prokuroria e ka obligim të hetoj tërë këtë proces dhe fajtori të gjendet e të dënohet. Një plan i tillë ka krijuar kaos në Ferizaj  dhe për këtë duhet të dënohen përgjegjësit“,tha Mustafa.

Plani Zhvillimor i Ferizajt u pat miratuar pas disa tentimeve në shtator të vitit 2017, transmeton Televizioni Tema.