Ferizaj

Gjoba për personat që nuk i rregullojnë rrugët të cilat i dëmtojnë gjatë punimeve

By FerizajPress

January 16, 2020

Rrugët publike të Ferizajt shpeshherë po dëmtohen pas ndërhyrjes në to nga kompani të ndryshme të ndërtimit apo edhe vet qytetarë. Për këtë çështje, drejtori i Infrstrukturës në komunën e Ferizajt, Arbër Bytyçi, tha se është obligim i të gjithë atyre që ndërhyjnë në to t’i kthejnë në gjendjen e mëparshme.

“Është obligim i secilit që ndërhynë qoftë person fizik, person juridik, kompani e ndryshme që ta kthej komplet gjendjen ku bëhet intervenimi, ta kthej në gjendjen e mëparshme në bazë të ligjeve dhe rregulloreve në fuqi. Çdo prishje më pas nga ajo ose çdo mosrregullim, moskthim i gjendjes së mëparshme sanksionohet me gjoba nga inspektorati i komunës së Ferizajt dhe inspektoratet e Republikës së Kosovës, kjo është e rregulluar me ligjet në fuqi të Republikës së Kosovës”, tha Arbër Bytyçi.

Njëra ndër kompanitë që është duke bërë ndërhyrje në rrugët e Ferizajt është edhe KEDS, e cila është duke vendosur linja të reja nëntokësore të energjisë elektrike. Për ndërhyrjet në to, Bytyçi tha se duhet të përkujdeset KEDS-i.

“Punët janë duke u kryer, ne u kemi lëshuar lejet në bazë të rregulloreve në fuqi që janë. Drejtoria e Urbanizmit u ka lëshuar leje për realizimin e këtij projekti, gjegjësisht këtij investimi, mbetet në përgjegjësinë e KEDS-it në ato zona ku bëjnë intervenime, gjegjësisht ndërhyrjet në rrugë, kthimin edhe në gjendjen e mëparshme, është obligim i KEDS-it në kuadër të lejes që i kemi lëshuar. Është investim shumë i rëndësishëm për qytetin dhe qytetarët e Ferizajt. Po besoj që tashmë edhe për shkak të kushteve atmosferike në disa zona nuk janë kthyer, mirëpo pas përmirësimit të kushteve atmosferike, KEDS-i do të vazhdoj me dinamikën e paraparë të punimeve. Po ashtu, kemi formuar edhe një komision profesional për mbikëqyrjen e punëve ndërtimore se a do të kthehen apo nuk do të kthehen në gjendjen siç kanë qenë rrugët të cilat dëmtohen nga punimet që i zhvillon KEDS-i”, tha Arbër Bytyçi.

Ndërsa, zëdhënësi i KEDS-it, Viktor Buzhala, përmes telefonit tha se KEDS-i do të bëj asfaltimin e rrugëve në të cilat ka ndërhyrë gjatë punimeve me fillimin e ngritjes së temperaturave.

“Po, sigurisht, KEDS-i të gjitha rrugët në të cilat i ka hapur kanalet do t’i kthej në gjendjen  e mëparshme, por këto fatkeqësisht nuk jemi në sezonën kur mund të shtrohet asfalt, mirëpo me të ardhur sezona, përkatësisht andej nga fillimi i ngrohjes së kohës ne sigurisht që do t’i kthejmë të gjitha në gjendjen siç kanë qenë më herët. E kemi bërë mbylljen e përkohshme për disa për shkak se ka pasur ankesa të shumta, mirëpo nuk mund ta bëjmë mbylljen e përhershme të këtyre për shkak se është situata se si është, është stina e ftohtë ku nuk preferohet të shtrohet asfalt dhe sigurisht që me të ardhur koha e ngrohtë ne do të veprojmë”,  tha Viktor Buzhala.

Në Drejtorinë e Infrastrukturës në Ferizaj, njoftuan se të gjitha kompanitë apo qytetarët që ndërhynë nëpër rrugë publike gjatë kryerjes së punëve të ndryshme do të gjobiten nëse nuk i rregullojnë rrugët siç kanë qenë, transmeton Televizioni Tema.