Ka dështuar të arrihet një marrëveshje ndërmjet Qeverisë së Kosovës dhe BSPK-së për ndërprerjen e grevës, përkundër përpjekjeve të Avokatit të Popullit.
Në një njoftim të fundit, SBASHK ka njoftuar se nuk do ta pranojë draft-marrëveshjen e propozuar nga Avokati i Popullit.
“Kryetarët e niveleve komunale sindikale e të universiteteve vlerësojnë se draft aktpajtimi i Avokatit të Popullit nuk është i pranueshëm për ne sepse nuk i përmban pikat e kërkesës se grevistëve”, thuhet në njoftim, raporton Gazeta Express.
Këshilli Grevist ka konsideruar se propozimi i SBASHK është i njëanshëm.
“Në takimin e mbajtur në orët e vona me kryetarët e sindikatave komunale dhe të universiteteve, që njëkohësisht janë edhe kryetarë të Këshillave greviste të nivelit komunal dhe të universiteteve u diskutua lidhur me një letër dhe një aktpajtimi, të cilën SBASHK e mori në orët e vona të pasdites nga Avokati i popullit, duke e analizuar në detaje këtë aktmarrëveshje të propozuar dhe njëzëri ata vlerësuan se ky propozim i dërguar nga Avokati i popullit është i njëanshëm, nuk i përmban kërkesat legjitime të grevistëve, të dërguara sot pasdite nga SBASHK-u dhe dje nga BSPK-ja te avokati i popullit dhe vlerësojnë se letra e tillë, e dërguar në orët e vona, me tentim që marrëveshja të bëhet, jo me Këshillin Grevist të BSPK-së, ashtu si e parasheh Ligji për grevat, por me kryetarin e BSPK-së dhe të SBASHK-ut në njërën anë dhe në anën tjetër, jo me Kryeministrin që e përfaqëson Qeverinë e Kosovës , por me ministrin Murati dhe ministren Nagavci tregon që edhe Avokati i popullit ka hyrë në rrugën e shantazheve për të përçarë sindikatat me qëllim që të grevistët të krijohet eventualisht bindja se sindikatat janë tërhequr nga kërkesat, gjë nuk është e vërtetë”, thuhet në reagimin e sindikalistëve.
Përfaqësuesit e grevistëve kanë konsideruar që Avokati i Popullit nuk po luan rol të balancuar.
“Në fund të kësaj komunikate po dërgojmë edhe draft aktpajtimin dërguar nga Avokati i popullit në mënyrë që vet opinioni të shohin se angazhimi i Avokatit të popullit nuk është në rolin e ndërmjetësuesit të balancuar për arsye se nuk ka as edhe një propozim të ri, përveç atij të qeverisë nga pakoja, ofertë e cila është refuzuar nga grevistët që më 3 shtator, prandaj greva vazhdon deri në një marrëveshje që plotëson kërkesat e anëtarësisë”, thuhet në fund.
Më poshtë gjendet edhe propozimi i Avoaktit të Popullit që është refuzuar nga sindikatat.