Lajme

Gjini: Në Kosovë ka popull, jo bagëti

By FerizajPress

April 15, 2016

Nënkryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ardian Gjini në Info Magazine të Klan Kosovës ka thënë se dyshja Mustafa-Thaçi e kanë shndërruar vendin në demokraci delegative.

Ai ka theksuar se veprimet e ndërmarra nga opozita në ndaljen e marrëveshjeve nuk janë të mira, por që kanë qenë të domosdoshme, njofton Klan Kosova.

“Mustafa dhe Thaçi vendin e kanë shndërruar në demokraci delegative”.

“Dy marrëveshjet është dashur të ndalen, por partitë në pushtet nuk kanë dashur të dëgjojnë për këtë gjë. Prandaj kemi vepruar siç kemi vepruar”.

“E kam thënë disa herë se protestat përveç efektit të drejtpërdrejtë që kanë pasur në parandalimin e dy marrëveshjeve të dëmshme për Kosovën, në rrethanat në të cilat Qeveria sillet në mënyrë jodemokratike, kur nepotizmi, klientelizmi dhe kapja e shtetit rritet, atëherë secili qytetar ka të drejtë të protestojë”.

“Nëse partitë në pushtet e konsiderojnë popullin bagëti me të cilin mund të qeverisin si të duan, e kanë gabim. Populli ka shumë arsye për të qenë skeptik. Por në Kosovë kemi popull, jo bagëti”