Ferizaj

Gjimnazistët ferizajas në kampionatin botëror të futsallit

By FerizajPress

April 02, 2016

Në Poreç të Kroacisë javën e ardhshme do të mbahet kampionati botëror i futsallit në nivelin e shkollave të mesme. Kosovën në këtë kampionat do ta përfaqësoj ekipi i Gjimnazit ” Dr Shaban Hashani” nga Ferizaj, kampion të Kosovës në këtë sport. Para nisjes, lojtarët e këtij ekipi por edhe trajneri janë shprehur optimist se në këto gara do ta përfaqësojnë Kosovën denjësisht dhe se nga atje do të kthehen ndoshta me ndonjë medalje të kampionatit.

” Mendoj se jemi të përgaditur mirë, kemi filluar qe një muaj me përgatitje dhe tash jemi ambientuar mirë. Besoj se do të kemi sukses , shpresat i kemi që do të fitojmë”, ka thënë lojtari i këtij ekipi, Kenan Selimi.

Ndërkohë, Naim Karaliti, trajner dhe profesor i edukatës fizike në këtë shkollë, ka thënë se bëhet fjlaë për një garë të rëndësishme dhe se kjo shkollë merrë pjesë për herë të parë.

“Jemi përgatitur mjaft, kemi punuar mjaft gjatë këtyre dy muajve dhe shpresojmë dhe presim suksese. Grupin e kemi të fortë, i kemi parë lojërat e tyre, i kemi studiuar ato dhe mendojmë se do të jemi një konkurent fortë”,ka thënë Kraliti.

Edhe kryetari i Ferizajt, Muharrem Svarqa, e ka vlerësuar këtë ngjarje duke thënë se kjo e ka një rëndësi të madhe për qytetin e Ferizajt, Kosovën dhe për arsimin në përgjithësi ngase për herë të parë në një nivel të lartë të përfaqësimit kanë mundësinë që ta prezantojnë vendin. Ai i ka përgëzuar nxënësit që do ta mbajnë fanellen e Kosovës.

“Kjo tregon për një punë konsekuente dhe punë të plodhshme të personelin mësimor në drejtim të identifikimit dhe kultivimit të talentëve të futbollit, të cilët Ferizajt në historinë e vet nuk i kanë munguar, madje ka pasur edhe figura identifikuese me të cilat është identifikuar sporti në përgjithësi. Ne si qeverisje komunale jemi të kënaqur me këtë që po ndodhë, mirëpo natyrisht akoma nuk jemi në fazën e përkrahjes materiale të asaj çfarë do të duhej në këto raste por brenda mundësive buxhetore, ne kemi bërë maksimumin që këta të kenë një përfaqësim të denjë”, ka thënë Svarqa.

Ekipi i Kosovës do të jetë në një grup me ekipet e forta të Francës dhe Belgjikës, por pavarësisht kësaj nivel i përfaqësimit sipas drejtuesve të Shoqatës të Pedagogëve të Sportit Shkollor, suksesi nuk do të mungojë.

“Ky ekip ka kaluar nëpër të gjitha garat e zhvilluar këtu dhe si fitues i tyre do ta përfaqësoj Kosovën në nivelin e kampionatit botëror. Fedarat e Sportit Shkollor të Kosovës do ta mbështesë ekipin e futsallit por edhe ekipin e femrave nga Gjilani që do të udhëtojnë së bashku në këtë kampionat”, ka thënë Skënder Ramadani nga kjo shoqatë.

Merret vesh se kampionati do të filloj të hënën dhe se do të vazhdojë gjatë tërë javës.